Unaza vezulluese fantazmë janë evidentuar përreth një vrime të zezë nga observatori me rreze x “Chandra” i NASA-s, si dhe observatori “Neil Gehrels Swift”. Pamjet me rreze x e zbulojnë atë që përndryshe do të ishte e padukshme
Vrimat e zeza përbëjnë një prej mistereve përfundimtare të universit, madje vështirë të imagjinueshme. Por falë një pamjeje porsa të publikuar nga NASA, njëra prej tyre mund të vizualizohet paksa më mirë tani.
Unaza vezulluese fantazmë janë evidentuar përreth një vrime të zezë nga observatori me rreze x “Chandra” i NASA-s, si dhe observatori “Neil Gehrels Swift”. Pamjet me rreze x e zbulojnë atë që përndryshe do të ishte e padukshme, ka raportuar transmetuesi televiziv amerikan CNN.
Vrimat e zeza ekzistojnë në sistemin binar në shoqërinë e një ylli, ndërsa graviteti i tyre i largon materiet prej yllit dhe i shpie drejt një disku përreth vetes.
“Vrima e zezë dhe sistemi yjor quhen V404 Cygni dhe ndodhen rreth 7.800 vjet dritë larg Tokës. Ylli e ka rreth gjysmën e masës së Diellit tonë”, ka shkruar CNN.
Observatori Swift në gjithësi, i lansuar më 2004, ka detektuar një shpërthim rrezesh X nga sistemi binar në qershorin e 2015-s. Ky shpërthim në fakt ka krijuar unaza energjike që janë të dukshme në pamjet me rreze x.
Jehona drite
Fenomeni që i krijoi unazat njihet si jehonë drite. Ato janë krijuar në këtë sistem kur shpërthimi i rrezeve x nga sistemi binar i reflektoi retë e pluhurit të shpërndara përreth hapësirës ndërmjet sistemit V404 Cygni dhe Tokës.
Hapësira është përplot pluhur, porse është më i ngjashëm me tymin e mbushur përplot me grimca të vogla të ngurta.
“Pamjet e reja të publikuara nga NASA i kombinojnë rrezet x të vëzhguara nga Chandra me të dhënat e mbledhura në dritën optike nga teleskopi Pan-STARRS në Hawaii, i cili grumbullohet përreth yjeve rrethues”, ka shkruar CNN.
Më 2015 Chandra e vëzhgoi sistemin më 11 dhe 25 qershor, derisa Swift e shikoi sistemin midis 30 qershorit dhe 25 gushtit.
Secila unazë e krijuar nga rrezet x prej shpërthimeve të 2015-s mund të shihet teksa kërcejnë jashtë rreve të pluhurit. Këto unaza, sipas CNN-it, mund t’i ndihmojnë shkencëtarët që t’i kuptojnë më mirë vrimat e zeza përbrenda sistemit V404 Cygni, si dhe hapësirën kozmike midis sistemit dhe Tokës.
Diametri i unazave u lejon studiuesve që t’i përcaktojnë distancat e rreve të pluhurit që ishin përdorur për të krijuar unaza drite. Sa më të mëdha që të jenë unazat, aq më afër Tokës janë retë.
Rrezet X në përdorim krejt ndryshe
Studiuesit i përdorën rrezet X edhe në një mënyrë tjetër prej asaj konvencionales për skanime në ordinanca mjekësore apo për skanimin e valixheve nëpër aeroporte.
“Kjo do të thotë se ato ishin në gjendje që ta shfrytëzonin shkëlqimin e rrezeve X për ta përcaktuar përbërjen e reve të pluhurit bazuar në atë sesa që rrezet X ato i absorbojnë. Studiuesit kanë zbuluar se pluhuri mbase është i bërë nga grafiti dhe kokrrat e silikatit”, ka raportuar transmetuesi amerikan.
Pamjet e reja përbëjnë një tjetër perspektivë mbresëlënëse të vrimave të zeza misterioze dhe se si observatorët me rreze x mund t’i ndriçojnë aspektet përndryshe të padukshme të universit.