Që nga dita kur filluan sulmet e Rusisë në Ukrainë kanë humbur jetën gjashtë gazetarë të huaj si pasojë e sulmeve ruse.
Fushata e Emblemës së Shtypit (Press Emblem Campaign – PEC) me seli në Gjenevë, që punon për të siguruar të drejtat ligjore dhe sigurinë e gazetarëve në botë, ka ndarë në faqen e saj të internetit raportin lidhur me gazetarët në rajonin e luftës Rusi-Ukrainë.
Sipas raportit, institucionet mediatike ukrainase kanë mbyllur zyrat e tyre në rajonet ku zhvillohen luftime intensive, ndërsa shumë punonjës të medias kanë filluar të blejnë kutitë e ndihmës së parë ose pajisje mbrojtëse për sigurinë e tyre.
Në të gjithë Ukrainën punojnë rreth 3 000 gazetarë të huaj ndërsa gjashtë nga këta gazetarë e kanë humbur jetën në sulmet ruse.
Në të njëjtat sulme janë plagosur tetë gazetarë të huaj, ndërsa dy gazetarë janë rrëmbyer nga njësitë ruse.
Në raport nuk është ndarë informacioni lidhur me humbjet e jetëve të gazetarëve ukrainas gjatë luftës.
Në raport paraqiten përfundimet e Andrii Lanits, përfaqësuesit të PEC për Ukrainën, i cili tha se në rajonet ku gazetarët kryejnë punën e tyre ka probleme sigurie.
“Gazetarët në Ukrainë kanë nevojë për pajisje të blinduara, për kaska, radio marrëse dhe pajisje të ndihmës së parë”, tha ai.
Lanits thekson se dy gazetarë të huaj të rrëmbyer kryenin detyrën e tyre në rajonet që Rusia ka marrë nën kontroll, në jug të Ukrainës.