Qeveria ukrainase u ka bërë thirrje organizatave hebreje që ta ndihmojnë atë të blejë sisteme moderne të mbrojtjes ajrore nga Izraeli, ndërsa vendi vazhdon të përballet me sulmet ruse.
Izraeli ka një politikë për të mos dërguar pajisje ushtarake në Ukrainë, por ka thënë se është i gatshëm të ndihmojë vendin me sistemet e paralajmërimit të hershëm. Izraeli ka disa nga sistemet më të sofistikuara të mbrojtjes ajrore në botë, përfshirë disa të zhvilluara për të luftuar raketat balistike iraniane dhe dronët me rreze të gjatë.
Zyra e presidentit Zelensky tha të enjten se kreu i zyrës, Andriy Yermak, foli me “përfaqësues të organizatave kryesore hebreje, gjatë të cilave ai theksoi rëndësinë e sigurimit të shtetit tonë me sisteme moderne të mbrojtjes ajrore që ka Izraeli”.
Yermak tha në takim se Rusia kishte kryer 190 sulme me raketa dhe dronë vetëm në 7 dhe 8 tetor në territorin e Ukrainës.
“Ne po flasim për qëllimin [e Rusisë] për të frikësuar civilët, përpjekjet për të shkatërruar infrastrukturën kritike të Ukrainës para dimrit, për ta zhytur vendin në errësirë dhe acar”, tha ai.
Yermak tha në takim se ishte “e rëndësishme të zhbllokohej bashkëpunimi ushtarako-teknik midis dy vendeve” dhe organizatat hebreje mund “të bindin qeverinë izraelite që t’i sigurojë shtetit tonë sistemet e nevojshme”./UBTNews/