UBT News

Ukraina thotë se Rusia kreu sulmin më të madh të luftës me dronë e me raketa

Kievi tha të mërkurën se Rusia kreu sulmin më të madh me raketa dhe me dronë gjatë pushtimit mbi trevjeçar të Ukrainës, duke goditur kryesisht perëndimin e saj.

Forca ajrore e Ukrainës tha se Rusia sulmoi me 728 dronë dhe me 13 raketa, duke shtuar se sistemet e mbrojtjes ajrore ukrainase penguan 711 dronë, dhe se të paktën shtatë raketa u shkatërruan, raporton AFP.

Ky është sulm tregues, i cili ndodhi pikërisht në kohën kur po bëhen aq shumë përpjeke për të arritur paqe, për të arritur armëpushim. Por, vetëm Rusia po vazhdon t’i minojë ato”, shkroi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në mediat sociale.

Ai u bëri thirrje aleatëve që të ashpërsojnë sanksionet ndaj Rusisë, veçanërisht duke goditur sektorin e saj të energjisë, një rrjedhë e rëndësishme të ardhurash për arkën e luftës të Rusisë.

Partnerët tanë dinë se si të zbatojnë trysni në një mënyrë që do ta detyrojë Rusinë të mendojë për përfundimin e luftës, e jo për kryerjen e sulmeve të reja”, shtoi Zelensky.

Prefekti i qytetit perëndimor Luck, Igor Polishchuk, tha se në një “ndërmarrje” shpërthyen zjarre, dhe se askush nuk është raportuar të jetë vrarë apo plagosur.

Sulmi i fundit ia kaloi rekordit të mëparshëm rus prej 550 dronësh dhe raketash, të lëshuara më herët këtë muaj.

Ai ndodhi pasi Shtetet e Bashkuara ndryshuan qëndrim sa i përket reduktimit të furnizimit të Ukrainës me armë.

Rusia e kreu këtë sulm pasi SHBA-ja deklaroi publikisht se do të na furnizojë me armë”, tha shefi i stafit të presidentit ukrainas, Andriy Yermak, në mediat sociale.

Exit mobile version