Udhëheqësit ukrainas akuzuan Rusinë për kapjen e 15 punëtorëve të shpëtimit dhe shoferëve nga një autokolonë humanitare që përpiqej të sillte ushqime dhe furnizime të tjera të nevojshme në qytetin port të Mariupolit.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se 100 mijë civilë kanë mbetur në Mariupol, një ndër qytetet më të shkatërruara nga lufta.
Zelensky, duke folur të martën vonë në fjalimin e tij, akuzoi forcat ruse për bllokimin e autokolonës së ndihmës, pavarësisht se ranë dakord për itinerarin paraprakisht.
“Ne po përpiqemi të organizojmë korridore të qëndrueshme humanitare për banorët e Mariupolit, por pothuajse të gjitha përpjekjet tona, për fat të keq, kanë dështuar për shkak të pushtuesve rusë, nga granatimet apo terrori i qëllimshëm”, tha Zelensky.
Kryqi i Kuq konfirmoi se një kolonë ndihmash humanitare që po përpiqej të arrinte në qytet nuk kishte mundur të hynte.
Përpjekja e kolonës për të ofruar ndihmë erdhi pasi anijet e marinës ruse iu shtuan sulmeve ajrore dhe tokësore ruse në Mariupol, thanë zyrtarët amerikanë./REL