Ukraina të premten do të kalojë 100 ditët që kur Rusia nisi një luftë kundër fqinjit të saj lindor, më 24 shkurt.
100 ditët e para të luftës kanë çuar në pasoja shkatërruese për fëmijët në një shkallë dhe ritëm të paparë që nga Lufta e Dytë Botërore, ndërsa mesatarisht, të paktën dy fëmijë janë vrarë në ditë, tha OKB në Ditën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve, e cila festohet çdo vit më 1 qershor.
Të paktën 243 fëmijë kanë vdekur si rezultat i sulmeve ruse, ndërsa 446 fëmijë të tjerë u plagosën nga forcat ruse, tha të mërkurën Zyra e Kryeprokurorit të Ukrainës.
Sipas vlerësimeve të OKB-së, të paktën katër mijë e 149 civilë janë vrarë dhe katër mijë e 945 janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i luftës, me bilancin e vërtetë që besohet të jetë shumë më i madh.
Një në çdo gjashtë persona është zhvendosur brenda vendit për shkak të luftës, duke arritur në 7.7 milionë gjithsej, tha Organizata Ndërkombëtare për Migracionin e OKB-së.
Mbi 6.8 milionë njerëz kanë ikur në vende të tjera, tha Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët.
Delegacionet ruse dhe ukrainase kanë mbajtur gjithsej katër negociata ballë për ballë për të garantuar një armëpushim. Tri prej tyre u mbajtën në Bjellorusi dhe një në Turqi.
Në Bjellorusi, të dy palët mund të bien dakord vetëm për korridoret humanitare për evakuimin e civilëve nga zonat e konfliktit.
Si rezultat i përpjekjeve të ndërmjetësimit të presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, pala ukrainase i dorëzoi palës ruse parimet e një projektmarrëveshjeje gjatë negociatave të mbajtura në Stamboll më 29 mars. /UBTNews/