Ukraina e ka akuzuar Rusinë për planifikim të një ofensive të madhe në fillim të vitit të ardhshëm, pavarësisht zmbrapsjeve ushtarake.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe zyrtarë tjerë të lartë, kanë paralajmëruar Kievin dhe aleatët që të kenë kujdes nga vetëkënaqësia.
Sipas gjeneralëve ushtarakë, ofensiva pritet të nisë në rajonin e Donbasit, në jug, e madje edhe rreth Kievit.
“Rusët janë duke përgatitur për angazhim të rreth 200.000 trupave shtesë. Nuk kam dyshim që do të bëjnë një tentim të ri në Kiev”, ka thënë gjenerali Valery Zaluzhny.
Ai ka thënë se është 100 për qind i sigurt se Rusia është duke bërë përgatitur dhe se “detyra e rëndësishme strategjike” e Ukrainës është që të krijojë rezerva dhe të përgatitet për ofensivën e re që “mund të nisë në shkurt, në mars, apo në skenarin më të keq në janar”.
Analistët perëndimorë kanë thënë se aftësia e Rusisë për të nisur ofensivë të suksesshme të terren është duke u dobësuar secilën herë e më shumë.
Zyrtari më i lartë ushtarak i Britanisë, admirali Sir Tony Radakin, ka thënë këtë javë se lufta vetëm do të përkeqësohet për Moskën, e cila, sipas tij, është duke u përballur me mungesë kritike të municionit.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL