UBT News

Ukraina raportohet se ka përmbushur disa nga kushtet për bisedimet me BE-në

Në raportin e Bashkimit Evropian, që do të publikohet këtë javë, do të thuhet se Ukraina ka përmbushur dy nga shtatë kushtet për të nisur negociatat e anëtarësimit, thanë për Reuters dy burime në BE.

Komisioni Evropian – trupi ekzekutiv i bllokut evropian – pritet që të theksojë përparimin e arritur pavarësisht pushtimit të nisur nga Rusia.

Në një lëvizje shumë simbolike, BE-ja vitin e kaluar i dha Ukrainës statusin e vendit kandidat, vetëm katër muaj pasi Rusia nisi luftën ndaj Kievit, që po përpiqet të integrohet me Perëndimin.

Por, BE-ja i vendosi shtatë kushte – përfshirë edhe reformat në gjyqësor dhe uljen e korrupsionit endemik – për të nisur procesin e negociatave për anëtarësim. Ukraina ka bërë thirrje që bisedimet të nisin gjatë këtij viti.

Raporti i Komisionit Evropian po vlerësohet si arritje e madhe në këtë proces, teksa mbështetësit e Ukrainës po kërkojnë që asaj t’i mundësohet një pranim i shpejt dhe nga 27 shtetet anëtare në dhjetor të merret vendim për nisjen e bisedimeve me Kievin.

Dy zyrtarë të lartë të BE-së, që kanë njohuri për këtë raport i cili ende nuk është bërë publik, i thanë Reuters se Ukraina deri më tani ka plotësuar dy kritere. Sipas zyrtarëve, këto kritere lidhet me reformat në gjyqësor dhe ligjin për mediat, duke shtuar raporti është pozitiv për Kievin.

“Ka përparim. Raporti do të jetë mesatarisht pozitiv”, tha zyrtari që foli në kushte anonimiteti. “Nuk ka të bëjë me zbukurim të realitetit, por me njohjen e përparimit. Për shembull, ka pasur raste të mëdha kundër korrupsionit”.

Muajve të fundit, Ukraina ka ndjekur disa raste të profilit të lartë kundër korrupsionit, përfshirë këtu edhe arrestimin e kreut të Gjykatës Supreme nën dyshimet për ryshfet prej 2.7 milionë dollarësh.

Kriteri tjetër i përmbushur ka të bëjë me reformat në Gjykatën Kushtetuese të Ukrainës dhe në forcat ligjzbatuese, për masat kundër pastrimit të parave, por edhe miratimit të ligjeve për të penguar oligarkët dhe për të mbrojtur të drejtat e pakicave kombëtare.

Raporti, që është një përditësim i përkohshëm para vlerësimit final që do të bëhet në tetor, do të dorëzohet te të dërguarit e 27 shteteve anëtare të mërkurën, dhe te ministrat e Jashtëm gjatë takimit të tyre të enjten.

Të 27 shtetet e BE-së vendosin nëse do të nisin ose jo bisedimet për anëtarësim me Kievin.

Për të nisur bisedimet, Ukraina duhet të përshtat ligjet dhe standardet e BE-së në shumë fusha. Në praktikë, rruga e Ukrainës drejt anëtarësimit mund të marrë disa vjet, por shumë pak besojnë se ky shtet mund t’i bashkohet bllokut evropian gjatë kohës kur lufta me Rusinë po vazhdon./REL

Exit mobile version