Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës po pretendon se autoritetet ukrainase kanë gjetur 440 varre në një vend varrimi masiv në Izium, qytet ky që ushtria ukrainase së fundi e ka rimarrë nga kontrolli rus.
Më herët presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se gazetarëve ukrainas dhe ndërkombëtarë do t’u lejohet të shohin se çfarë ishte zbuluar. “Ne duam që bota të dijë se çfarë po ndodh realisht dhe në çfarë ka çuar pushtimi rus”, tha Zelensky.
Qendra për Komunikime Strategjike e Ukrainës tha të enjten se disa nga varret e zbuluara në Izium ishin “të freskëta” dhe se kufomat e varrosura atje ishin “kryesisht civilë”.
Izium iu nënshtrua sulmeve intensive të artilerisë ruse në prill dhe qyteti, i cili ndodhet afër kufirit midis rajoneve Kharkiv dhe Donetsk, u bë një qendër e rëndësishme për ushtrinë ruse gjatë pesë muajve të okupimit.
Forcat ukrainase morën përsëri kontrollin e qytetit të shtunën.
Zelensky tha gjatë fjalimit të tij të enjten se Rusia duhet të mbahet përgjegjëse për vdekjet atje dhe në qytete të tjera ku ishin gjetur një numër i madh trupash.
“Bucha, Mariupol dhe tani, për fat të keq, Izium… Rusia lë vdekjen kudo. Dhe duhet të jetë përgjegjëse për të. Bota duhet ta mbajë Rusinë përgjegjëse reale për këtë luftë. Ne do të bëjmë gjithçka për këtë”, shtoi ai.
Serhii Bolvinov, kryehetuesi i policisë për rajonin e Kharkiv, tha më herët për Sky News të Britanisë se mund të ketë edhe vende të tjera varrimi masiv në zonën e Kharkiv.
Duke folur konkretisht për 440 varret, Bolvinov tha se zhvarrosjet e deritanishme treguan se viktimat vdiqën për shkaqe të ndryshme.
“Ne e dimë se disa janë vrarë (qëlluar për vdekje), disa kanë vdekur për shkak të zjarrit të artilerisë, të ashtuquajturat trauma nga shpërthimi i minave. Disa vdiqën për shkak të sulmeve ajrore. Gjithashtu kemi informacione se shumë trupa ende nuk janë identifikuar. Kështu që arsyet e vdekjes do të përcaktohen gjatë hetimeve”, citon Sky News të ketë thënë Bolvinov.
Ndërkohë, Oleh Kotenko, komisioneri i Ukrainës për personat e zhdukur, tha në një postim në Telegram se operacionet e kërkimit për eshtrat e “heronjve të rënë” po vazhdonin me kujdes në të gjithë rajonin.
“Problemi më i madh është se disa zona janë ende të minuara. Pavarësisht kësaj, ne vazhdojmë të punojmë, sepse duhet ta kthejmë çdo hero në shtëpi, në mënyrë që familjet të nderojnë sa më parë kujtimin e ushtarëve që vdiqën për Ukrainën në mënyrë dinjitoze”, tha Kotenko.
Zelensky vizitoi Izium të mërkurën dhe u tha gazetarëve se ishte “i tronditur” nga numri i “ndërtesave të shkatërruara” dhe “njerëzve të vrarë” të mbetur në vazhdën e okupimit rus./UBTNews/