Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) konfirmoi vonë se Shtetet e Bashkuara i kanë dërguar Ukrainës raketa me rreze të gjata veprimi, të njohura si ATACMS.
Zëdhënësi i DASH-it njoftoi se këto raketa u dërguan me vendimin e presidentit amerikan, Joe Biden.
ATACMS, mund të godasin cakun në largësi të mëdha – deri në 300 kilometra larg – krahasuar me raketat me rreze veprimi prej 165 kilometrash që SHBA-ja ia dha Ukrainës në tetor.
Këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan theksoi më tutje se Ukraina është zotuar se do t’i përdorë këto armë vetëm brenda Ukrainës, dhe jo në Rusi.
Ndërkohë, presidenti amerikan Biden e nënshkroi dje pakon me ndihmë ushtarake për Ukrainën, pasi ajo u miratua nga Kongresi amerikan pas shumë vonesave.
Sipas zyrtarëve amerikanë, pjesa e parë e ndihmës për Ukrainën – që ka vlerë të përgjithshme prej 61 miliardë dollarësh.
Aty përfshihen armë të mbrojtjes ajrore, municione për artileri, autoblinda dhe armë të tjera që do t’iu dërgohen forcave ukrainase, të cilat po përballen me pushtimin që Rusia nisi në shkurt të vitit 2022.