UBT News

Ukraina po heton 21 mijë krime të dyshuara lufte

Ukraina thotë se po heton mbi 21 mijë krime lufte dhe krime të agresionit që dyshohet se janë kryer nga Rusia qëkur nisi pushtimi i Ukrainës.

Prokurorja e Përgjithshme, Iryna Venediktova i tha BBC-së se ajo po merr raporte për 200-00 krime lufte në ditë. Ajo pranoi se shumë procese do të mbahen në mungesë, por theksoi se është “çështje drejtësie” që të vazhdohet me ndjekjet penale.

Pushtimi rus i Ukrainës filloi më 24 shkurt. Rusia i ka mohuar të gjitha akuzat për krime lufte.

Duke folur për programin e Shërbimit Botëror të BBC-së, Venediktova paralajmëroi se ushtarët rusë që vranë, torturuan ose përdhunuan civilët “duhet të kuptojnë se është vetëm çështje kohe kur ata të gjithë do të dalin para gjyqit”.

Ajo tha se megjithëse ekipi i saj po punonte në rajone anembanë Ukrainës, nuk arriti të hetonte të gjitha rastet “si duhet dhe në mënyrë efektive” për shkak të mungesës së aksesit në disa njerëz dhe zona. Kjo ishte një referencë e dukshme për territoret e Ukrainës të pushtuara nga trupat ruse.

Në maj, Venediktova tha se 600 të dyshuar janë identifikuar dhe kanë filluar 80 ndjekje penale. Ushtari i parë rus që doli para gjykatës në Ukrainë, Vadim Shishimarin, u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e një civili në maj./UBTNews/

Exit mobile version