UBT News

Ukraina përshëndet mbështetjen më të madhe diplomatike dhe ushtarake në mes të krizës me Rusinë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se ai mirëpret mbështetjen diplomatike dhe ushtarake të ofruar për vendin e tij në javët e fundit, kjo në mes paralajmërimeve për një pushtim rus.

Zelenskyy tha se “mbështetja diplomatike për Ukrainën është më e madhja dhe më e pakushtëzuara që nga viti 2014 dhe ajo po vazhdon. Ndihma ushtarake dhe teknike për Ukrainën është më e madhja, më e vlefshme dhe vazhdon të vjen”.

Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014 pas protestave pro-Bashkimit Evropian dhe Perëndimit në kryeqytetin Kiev.

Në vitet që pasuan, Ukraina është rrënuar nga konflikti me separatistët e mbështetur nga Rusia në lindje të vendit, i cili ka lënë më shumë se 13,000 të vdekur.

Pavarësisht nënshkrimit të marrëveshjeve të paqes, zgjidhja politike është bllkuar dhe dhuna nuk ka pushuar kurrë plotësisht.

Kryeministri britanik Boris Johnson dhe kryeministri polak Mateusz Morawiecki pritet të mbërrijnë në Kiev të martën.

Ata do të pasohen më vonë gjatë javës nga kryeministri holandez Mark Rutte dhe presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan.

Javën e ardhshme atje priten pesë ministra të jashtëm nga vendet evropiane, duke përfshirë atë francez dhe gjerman.

“Një intensitet i tillë i vizitave është një faktor i rëndësishëm në stabilizimin e situatës”, tha Zelenskyy.

Ai tha se Ukraina po punonte “aktivisht” për të organizuar një samit të ri për zgjidhjen e konfliktit në lindje të vendit, një format i ashtuquajtur “Normandi” me liderët rusë, francezë dhe gjermanë.

Zelenskyy gjithashtu nënshkroi një dekret që synon të rrisë fuqinë e ushtrisë ukrainase me 100,000 ushtarë në tre vjet.

Rusia akuzohet nga Perëndimi se ka grumbulluar dhjetëra mijëra ushtarë në kufirin e fqinjit të saj në pritje të një pushtimi të mundshëm. Megjithatë, Moska mohon çdo qëllim të tillë./UBTNews/

Exit mobile version