Rusia ndërmori gjatë natës një sulm masiv në Ukrainë që kishte si objektiv industrinë e nxjerrjes së gazit. Sipas BBC në sulm u përdorën 67 raketa dhe 194 dronë. Nga këto, 33 raketa lundrimi, një raketë Kh-59/69 dhe 100 dronë u rrëzuan, sipas deklaratës së forcave ajrore ukrainase.
Për të zmbrapsur këtë sulm, u përdorën avionë F-16 dhe Mirage 2000. Ky ishte përdorimi i parë i avionëve francezë Mirage-2000 pas mbërritjes së tyre në Ukrainë një muaj më parë.
F-16, të furnizuara nga shtetet evropiane, dhe Mirage-2000 janë përdorur për të luftuar kundër sulmeve ajrore ruse dhe për të mbrojtur infrastrukturën energjetike të vendit.
Avionët janë të aftë të përdorin një kombinim të raketave ajër-ajër dhe armëve të tjera në bord për të rrëzuar kërcënimet ajrore, duke përdorur radarët e instaluar në bord për të zbuluar objektivat. Megjithatë, ende nuk ka informacione të detajuara për shkatërrimet e shkaktuara nga këto avionë, por F-16 tashmë kanë arritur të rrëzojnë raketa lundrimi dhe dronë, duke mbështetur mbrojtjen ajrore ekzistuese të Ukrainës.