India ka zgjedhur të mos e ftojë Ukrainën në samitin e G20-ës që do të mbahet muajin e ardhshëm.
Një listë formale me të ftuar është publikuar në uebsajtin e G20-ës e cila tregon se tetë shtete jo-anëtare të G20-ës do të marrin pjesë, sikurse Bangladeshi, Egjipti, Mauritiusi, Holanda, Nigeria, Omani, Singapori dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Madje edhe Spanja, e cila nuk është anëtare, pritet të marrë pjesë, si e ftuar e përhershme.
I takon vendit pritës të vendosë se cilat shtete jo-anëtare do të ftojë çdo vit. Ukraina u ftua në samitin e Indonezisë vitin e kaluar, ku presidenti Zelensky u shfaq virtualisht.
Edhe në fillim të këtij viti Ukraina u ftua në samitin e G7-ës që u mbajt në Japoni.
Që nga fillimi i luftës së Rusisë në Ukrainë, India është treguar si një nga aleatët më të mëdhenj ekonomik të Rusisë, duke injoruar sanksionet perëndimore dhe duke vazhduar të importojë sasi të mëdha nafte ruse. Rusia është ftuar edhe në këtë samit, pavarësisht thirrjeve të përsëritura për të larguar Kremlinin nga grupi ndërqeveritar./UBTNews/