Ukraina nuk do të pranojë asnjë alternativë ndaj statusit të saj të kandidaturës në Bashkimin Evropian, tha të enjten Ministri i Jashtëm, Dmytro Kuleba.
Duke folur në një konferencë shtypi në Berlin pas takimit të tij me ligjvënësit gjermanë, Kuleba tha se është ende herët për të bërë një vlerësim përfundimtar të propozimit të Presidentit francez Emmanuel Macron për Komunitetin Politik Evropian, pasi ende nuk dihen shumë detaje rreth nismës.
“Për aq sa ne e kuptojmë propozimin francez, ai nuk bie ndesh me dhënien e statusit të kandidaturës në BE për Ukrainën”, tha Kuleba dhe gjithashtu e bëri të qartë se për Kievin alternativat ndaj anëtarësimit do të ishin të papranueshme.
“Nuk kam përshtypjen se kjo nismë e përjashton Ukrainën nga lista e mundshme e anëtarëve. Por nëse është kështu, kjo është diskriminuese, kjo është e padrejtë. Dhe bie në kundërshtim me deklaratat publike që vijnë nga Franca dhe vende të tjera”, theksoi ai.
Kuleba tha se Ukraina pret një përgjigje pozitive nga Brukseli për aplikimin e saj për anëtarësim në BE.
“Ne besojmë fuqishëm se do të jetë në interesin më të mirë të Evropës që t’i japë Ukrainës statusin e kandidatit për në BE në fund të qershorit në samitin e Këshillit Evropian”, tha ai./UBTNews/