Ukraina njoftoi të enjten se i ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Sirinë pasi Damasku të mërkurën njohu pavarësinë e Republikës Popullore të Donetskut të kontrolluar nga separatistët pro-ruse dhe Republikës Popullore të Luhanskut.
“Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës dënon me forcë vendimin e Republikës Arabe Siriane për të njohur të ashtuquajturën ‘pavarësi’ të territoreve të pushtuara përkohësisht në rajonet Donetsk dhe Luhansk të Ukrainës”, tha ministria në një deklaratë të enjten.
“Ne e konsiderojmë këtë vendim si një akt jomiqësor kundër Ukrainës, një shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit tonë dhe një shkelje të rëndë të ligjit ukrainas, Kartës së OKB-së dhe normave dhe parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare”, shtuan ata.
Siria është i vetmi vend përveç Rusisë që ka njohur zyrtarisht pavarësinë e rajoneve të shkëputura.
“Në përgjigje ndaj këtij akti jomiqësor, Ukraina deklaron ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Sirinë”, tha Ministria e Jashtme e Ukrainës duke shtuar se do të vendosë një embargo tregtare, si dhe sanksione të tjera ndaj Sirisë./UBTNews/