Një gjykatë kundër korrupsionit në Ukrainë ka konfirmuar konfiskimin e aseteve që raportohet se i takojnë një oligarku të shquar rus.
Kjo gjykatë la në fuqi vendimin e Ministrisë së Drejtësisë për transferimin e aksioneve në një qendër tregtare që i përkiste oligarkut rus, Arkady Rotenberg, në shtetin e Ukrainës. Vlera e aseteve të sekuestruara është 300 milionë dollarë.
“U vërtetua se Rotenberg është një anëtar i rrethit të brendshëm të udhëheqjes më të lartë ushtarake dhe politike të Rusisë dhe është i përfshirë drejtpërdrejt në ndërtimin e të ashtuquajturës “Ura e Krimesë”, thuhet në njoftim.
Rotenburg, një biznesmen i shquar rus me interesa në energji dhe ndërtim, menaxhonte aksionet në qendrën tregtare të Kievit “nëpërmjet subjekteve tregtare të kontrolluara në Ukrainë dhe jashtë saj”.
Rotenberg kontrollonte dy të tretat e aksioneve të qendrës tregtare përmes pronarëve nominalë zviceranë, sipas Ministrisë së Drejtësisë./UBTNews/