Forcat ukrainase kanë shkatërruar 50 depo të municionit të Rusisë duke përdorur sistemin e raketave HIMRAS, që Uashingtoni i ka dhënë Ukrainës, tha ministri ukrainas i Mbrojtjes.
“Kjo ndërprenë zinxhirët logjistikë [të Rusisë] dhe pamundëson që të kryejnë luftime aktive dhe të mbulojë forcat tona me granatime”, tha më 25 korrik, ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Oleksiy Reznikov.
Këto pretendime të Reznikovit nuk kanë mundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur.
Po ashtu të hënën, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë pretendoi se forcat e saj kanë shkatërruar një depo municioni, ku ishin të vendosura HIMARS-ët amerikanë në Bogdanovtsi, në rajonin Helnitski të Ukrainës.
As këto pretendime të Rusisë nuk kanë mundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur.
Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara njoftuan se do t’i dërgojnë Ukrainës edhe katër sisteme HIMRAS, pasi në të kaluarën i kishin dërguar 12 të tjerë.
Ukraina ka thënë se përdorimi i Sistemeve të Artilerisë me Lëvizshmëri të Lartë (HIMARS) po bën dallimin në fushëbetejë. Këto sisteme janë më precizë dhe kanë rreze më të gjatë veprimi sesa sistemet sovjetike që Kievi ka në arsenal./REL