UBT News

Ukraina i kërkon OKB-së dhe Turqisë t’ia ndalojnë Rusisë pengimin e marrëveshjes së grurit

Ukraina i ka bërë thirrje OKB-së dhe Turqisë që t’i bëjnë presion Rusisë që menjëherë të ndalojë pengimin e dërgesave të grurit ukrainas me të cilin furnizohen miliona njerëz dhe të mos e përdorin ushqimin si armë.

Pas një bllokade gati gjashtëmujore të shkaktuar nga pushtimi rus, tri porte ukrainase të Detit të Zi u zhbllokuan në fund të korrikut sipas një marrëveshjeje midis Moskës dhe Kievit që u ndërmjetësua nga OKB-ja dhe Turqia. Por Ukraina ka akuzuar vazhdimisht Rusinë për vonimin e inspektimeve të anijeve që transportojnë mallra bujqësore ukrainase, duke çuar në ulje të dërgesave dhe humbje për tregtarët.

Rusia ka mohuar akuzat, duke thënë se po përmbush të gjitha detyrimet sipas marrëveshjes së eksportit të grurit.

Dy zyrtarë të lartë ukrainas thanë në një deklaratë të përbashkët se “Ukraina është thellësisht e shqetësuar për veprimet shkatërruese të Rusisë”, të cilat rezultojnë në vonesën e punës së korridorit të grurit dhe “pengimin e iniciativës së grurit në përgjithësi”./UBTNews/

Exit mobile version