UBT News

Ukraina bën thirrje për furnizim më të shpejtë me armë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u ka bërë thirrje aleatëve perëndimorë që të përshpejtojnë furnizimin me armatime të reja për të ndihmuar forcat e tij në luftën ndaj Rusisë. Ai tha se koha duhet të përdoret si armë.

“Shpejtësia e furnizimit ka qenë dhe do të jetë një nga faktorët kyç në këtë luftë. Rusia shpreson të zvarritë luftën, të lodhë forcat tona. Pra, duhet ta bëjmë kohën armën tonë. Ne duhet të përshpejtojmë ngjarjet, të përshpejtojmë furnizimin dhe hapjen e opsioneve të reja të nevojshme të armatimit për Ukrainën”, deklaroi presidenti ukrainas mes tjerash.

Zelensky e përshkroi situatën në fushën e betejës si “shumë të vështirë”.

“Bakhmut, Vuhledar dhe zona të tjera në rajonin e Donetskut janë nën sulme të vazhdueshme ruse. Ka përpjekje të vazhdueshme për të thyer mbrojtjen tonë”, tha ai.

“Armiku … mban një intensitet të lartë sulmesh”, shtoi ai./UBTNews/

Exit mobile version