UBT News

Uellsi mund të bëhet vendi më i fundit që do të provojë trendin me katër ditë punë në javë

Një javë katër-ditore me pagë të plotë do të promovonte një ekuilibër më të shëndetshëm punë-jetë dhe do të rriste produktivitetin, si dhe do të krijonte gati 38,000 vende pune dhe do të reduktonte gjurmën e karbonit në vend, sipas një raport të ri të publikuar nga komisionerja e gjeneratave të ardhshme të Uellsit, Sophie Howe.

Howe tha se ndikimi i COVID-19 në punësimin dhe shëndetin mendor nënkuptonte se ishte koha e përsosur për të provuar një mënyrë alternative të punës.

“Orët që ne punojmë nuk kanë ndryshuar realisht në 100 vitet e fundit dhe është koha për një debat nëse kjo duhet të ndryshojë tani”, tha Howe për Euronews, përcjell UBT News.

“Ne kemi disa sfida të mëdha në të ardhmen, si do të kujdesemi për një popullsi të plakur, si do t’i frenojmë problemet që po shohim me shëndetin mendor dhe mendoj se kjo do të jetë pjesë e diskutimit mbi një zgjidhje e mundshme”, tha ajo.

Raporti i bën thirrje qeverisë së Uellsit të fillojë duke zhvilluar një provë të një jave katër-ditore pa ulje të pagave në të gjithë sektorin publik të vendit.

Punëtorët e sektorit publik përbëjnë mbi një të katërtën e të punësuarve në shumë pjesë të Uellsit. Ata raportojnë nivele më të larta të mungesës në punë se mesatarja, thuhet në raport, kryesisht për shkak të stresit, punës së tepërt dhe shëndetit të dobët mendor.

Qeveria e Uellsit duhet gjithashtu të inkurajojë bizneset private që të marrin pjesë, rekomandoi raporti dhe duhet të punojë me sindikatat për t’i ndihmuar ata të negociojnë orë më të shkurtra pune në një gamë të gjerë industrish./UBTNews/

Exit mobile version