UEFA publikoi formacionin më të mirë të Europianit që sapo përfundoi. Skuadra ideale mori formë pas seleksionimit të grupit të vëzhguesve teknikë, në të cilin bënin pjesë edhe emra si Fabio Capello dhe Esteban Cambiasso.
Ashtu si pritej, Italia dominoi me pesë futbollistë të pranishëm, por binte në sy mungesa e kapitenit të të kaltërve, Giorgio Chiellini.
Mbrojtësi veteran i kampionëve të Europës u la jashtë skuadrës, ndryshe nga Bonucci, i cili është i pranishëm, ashtu si portieri Donnarumma, por edhe Spinazzola. Ky i fundit ishte padyshim zbulimi më i madh i Europianit dhe e meritoi vendin, pavarësisht dëmtimit përballë Belgjikës, prej të cilit humbi gjysmëfinalen dhe finalen.
Mbrojtja kompletohet nga anglezët Maguire dhe Walker. Në mesfushë, organizatori i Italisë, Jorginho ka përkrah talentin spanjoll Pedri dhe danezin Hobjerg. Në rreshtimin 4-3-3, Chiesa plotëson repartin sulmues me Sterling dhe yllin e Belgjikës, Romelu Lukaku.
Përveç Chiellini-t, në skuadrën më të mirë mungon edhe golashënuesi më i mirë i turneut, Cristiano Ronaldo, autor i pesë golave, ashtu si edhe çeku Patrik Schick.