Më 27 janar shënohet 80-vjetori i çlirimit të kampit famëkeq nazist të Aushvicit.
Udhëheqësit evropianë kanë shprehur shqetësim për rritjen e partive të ekstremit të djathtë, veçmas në Gjermani, shtet që do të mbajë zgjedhjet muajin ardhshëm.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Evropa ka për obligim që të nderojë kujtimin e viktimave të Holokaustit.
“Të hënën bëhen 80 vjet që nga çlirimi i kampit nazist të përqendrimit dhe shfarosjeje, Aushvic-Birkenau”, shkroi ajo në X.
“Ne kurrë nuk do t’i harrojmë 6 milionë hebrenjtë e vrarë pa mëshirë dhe të gjitha viktimat e Holokaustit”, shtoi ajo.
Disa nga të mbijetuarit e mbetur pritet të marrin pjesë në ceremonitë që do të zhvillohen në kampin e vdekjes, i cili u ngrit nga pushtuesit nazistë në jug të Polonisë më 1940. Kampi u çlirua nga trupat sovjetike më 27 janar 1945, disa muaj para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Në ueb-faqen e Muzeut Aushvic-Birkenau u tha se ceremonia kryesore përkujtimore do të nisë në orën 16:00, në një tendë të veçantë të vendosur te hyrja e ish-kampit famëkeq. Një nga simbolet e ceremonisë do të jetë një vagon që do të qëndrojë pranë portës.
Ish të burgosurit e Aushvicit pritet që gjatë ceremonisë të vendosin lule në Murin e Vdekjes.
Në ceremoninë në Poloni do të marrin pjesë presidenti polak, Andrzej Duda, ai gjerman, Frank-Walter Steinmeier, kancelari gjerman, Olaf Scholz, udhëheqës të tjerë përfshirë edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryediplomaten Donika Gërvalla.
Scholz, i cili është në mes të një fushate të vështirë për rizgjedhje, ka përjetuar rritjen e partisë antiimigrante, Alternativa për Gjermaninë (AfD) gjatë dhe para mandatit të tij si kancelar.
Scholz është pajtuar me kritikat e kryeministri polak, Donald Tusk, për sloganet e dëgjuara në tubimet e AfD-së më 25 janar për “Gjermaninë Madhështore” dhe për “nevojën që të harrohet faji gjerman për krime naziste”. Tusk shkroi në X se këto slogane tingëllonin “shumë të njohura dhe ogurzeza” dhe theksoi se ato u bënë disa orë para përvjetorit të çlirimit të Aushvicit.
Ky përvjetor po ashtu shënon Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit. Në vigjilje të ceremonive përkujtimore në Poloni, një agjenci qeveritare izraelite që merret me mbështetjen e të mbijetuarve të Holokaustit lëshoi raportin vjetor, ku vlerësoi se më shumë se 123.000 të mbijetuar të Holokaustit aktualisht jetojnë në Izrael.
Në mesin e tyre përfshihen 41.751 persona që i mbijetuan përndjekjes naziste dhe 44.334 që u larguan pas avancimit të forcave naziste, veçmas në ish-Bashkimin Sovjetik.
Grupi i tretë i 37.630 të mbijetuarve ishin viktima të antisemitizmit gjatë luftës jashtë Evropës – kryesisht në Marok dhe Algjeri, por aty përfshihen edhe hebrenj irakian.
Në raport po ashtu përmenden 133 izraelitë që kishin luftuar gjatë Luftës së Dytë Botërore në radhët e forcave aleate./REL/