Udhëheqësit botërorë kanë shprehur solidaritetin e tyre me Ukrainën sot dhe kanë ritheksuar mbështetjen e tyre në përvjetorin e pavarësisë së Ukrainës.
Kryeministri britanik, Boris Johnson tha se vendi i tij do të qëndrojë pranë Ukrainës, duke shtuar se do t’i ofrohet çdo mbështetje e mundshme humanitare, ekonomike dhe ushtarake.
Edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se Evropa do të qëndrojë pranë Ukrainës “sot dhe më vonë”.
Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola shton se BE-ja “nuk do të pushojë kurrë së mbështeturi pavarësinë e Ukrainës dhe luftën e saj të guximshme kundër agresionit të paligjshëm rus”.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz thotë se zemrat e vendit janë me Ukrainën sot pasi ajo shënon festën e saj kombëtare në “rrethana të tmerrshme”.
Atij i bashkohen liderë nga e gjithë Evropa për të uruar Ukrainën për Ditën e Pavarësisë, përfshirë presidentët e Finlandës, Letonisë, Lituanisë dhe Moldavisë dhe ministrat e jashtëm në Poloni dhe Turqi.
Kryeministri australian, Anthony Albanese thotë se mbështetja e tij mbetet “e palëkundur” dhe i ka rrënjët në besimin se ligji ndërkombëtar duhet të mbizotërojë për të ruajtur sovranitetin e të gjitha kombeve./UBTNews/