UBT News

Udhëheqësit australianë festojnë lirinë e Julian Assange, por opozita thotë se ai nuk është ‘dëshmor’

Julian Assange u kthye në Australi, ndërsa opozita konservatore të enjten paralajmëroi qeverinë që të mos përshëndesë themeluesin e WikiLeaks si hero.

Assange zbarkoi në Australi të mërkurën mbrëma. Ai u deklarua fajtor për shkeljen e Aktit të spiunazhit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Më pas ai u lirua nga një gjykatë amerikane në ishullin e largët të Paqësorit, Saipan, pasi kishte shërbyer më shumë se pesë vjet në një burg britanik të sigurisë së lartë.

Gruaja e tij, Stella Assange, tha se është shumë herët për të treguar se çfarë do të bëjë burri i saj më pas dhe kërkoi privatësi për të.

Mbështetësit dhe mbrojtësit e fjalës së lirë të Assange e shohin atë si viktimë, sepse ai shpërfaqi keqbërjet dhe krimet e mundshme të SHBA-së, sikurse konfliktet në Afganistan dhe Irak, kur WikiLeaks publikoi mijëra dokumente të klasifikuara ushtarake dhe kabllograme diplomatike në vitin 2010.

Kryeministri australian Anthony Albanese, i cili mbështeti lirimin e Assange vite më parë para se të merrte detyrën në vitin 2022, e mirëpriti atë. Zhvilloi bisedë telefonike me të.

Megjithatë, opozita konservatore ngriti shqetësime në lidhje me portretizimin e Assange si hero pasi ai kaloi më shumë se një dekadë duke u përpjekur të shmangte ndjekjen penale dhe më pas u deklarua fajtor për një akuzë penale për komplot për të marrë dhe zbuluar dokumente të klasifikuara të mbrojtjes kombëtare.

Udhëheqësi i opozitës në Senat, Simon Birmingham, përshëndeti lirimin e Assange, por tha se themeluesi i WikiLeaks “nuk është dëshmor” për rrjedhjen masive të të dhënave.

“Ky nuk ishte një akt gazetarie. Nuk ishte sikur këto ishin dokumente të redaktuara apo kuruara. Ishte thjesht një grumbullim të dhënash, një grumbullim i të dhënave nga një rrjedhje dhe një deponim i të dhënave që erdhi me pasoja për SHBA-në në aspektin se si ata menaxhuan operacionet e tyre dhe zyrtarët e tyre për shkak të rreziqeve të sigurisë që u krijuan”, tha ai për Reuters në një intervistë./UBTNews/

Exit mobile version