UBT News

Udhëheqësi i Koresë së Veriut zotohet të ‘forcojë’ arsenalin bërthamor

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un u zotua të forcojë programin e armëve bërthamore të vendit gjatë një fjalimi në një paradë ushtarake të profilit të lartë në Phenian, njoftuan mediat shtetërore të martën.

“Ne do të vazhdojmë të ndërmarrim hapa për të forcuar dhe zhvilluar aftësitë bërthamore të vendit tonë me ritmin më të shpejtë”, tha Kim, sipas një transkripti të publikuar nga Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve.

Sipas KCNA, Kim mbajti fjalimin të hënën vonë në një paradë që shënon 90 vjetorin e themelimit të Ushtrisë Revolucionare Popullore Koreane në sheshin Kim Il Sung në Phenian.

Koreja e Veriut është nën sanksione të ashpra ndërkombëtare për programin e saj të armëve bërthamore dhe negociatat e përsëritura që synonin të bindin Kim Jong Un për t’i dhënë fund këtij programi nuk kanë rezultuar në asgjë.

Kim tha se armët bërthamore të vendit ishin “një simbol i fuqisë kombëtare” dhe se vendi do të “forconte dhe zhvillonte më tej forcën tonë bërthamore me shpejtësinë më të lartë të mundshme”.

Pheniani ka kryer më shumë se një duzinë teste armësh këtë vit, duke përfshirë lëshimin e një rakete balistike ndërkontinentale me rreze të plotë për herë të parë që nga viti 2017.

Koreja e Veriut kishte ndërprerë testet me rreze të gjatë dhe ato bërthamore kur Kim ishte takuar me presidentin e atëhershëm të SHBA-së, Donald Trump për një periudhë, megjithatë bisedimet ndaluan më 2019. Bisedimet që atëherë kanë ngecur./UBTNews/

Exit mobile version