Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko nënshkroi të enjten një ligj që prezanton dënimin me vdekje për “tradhti shtetërore” të kryer nga zyrtarë qeveritarë dhe ushtarakë, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve Belta.
Ligji gjithashtu parasheh përgjegjësi penale për “propagandë” të terrorizmit, diskreditim të forcave të armatosura të vendit, trupave dhe formacioneve të tjera ushtarake, organizatave paraushtarake dhe shkeljes së kërkesave për mbrojtjen e sekretit shtetëror.
Parlamenti i Bjellorusisë miratoi vitin e kaluar një projekt-ligj që do të vendoste dënimin me vdekje për “tradhti të lartë, me qëllim parandalimin” e veprimeve të mundshme nga “elementët shkatërrues” në vend, të cilin Lukashenko e nënshkroi në ligj të enjten.
Grupi i të drejtave të njeriut Amnesty vitin e kaluar e quajti ligjin “shfaqja më e fundit e mosrespektimit të thellë të të drejtave të njeriut nga autoritetet bjelloruse”./UBTNews/