Përfaqësimi dinjitoz i Kosovës në arenën ndërkombëtare përmes sportit, më konkretisht xhudos, ka bërë që rektori i UBT-së të vlerësojë jashtëzakonisht shumë punën dhe angazhimin e selektorit të reprezentacionit të Kosovës në xhudo, Driton Kuka.
Rektori Hajrizi ka thënë se një personalitet si Driton Kuka është një vlerë e shtuar e vendit tonë, që po i ndihmon Kosovës të prezantohet vazhdimisht në mënyrën më të mirë të mundshme në arenën ndërkombëtare.
“Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova e xhudistë të tjerë të suksesshëm kanë arritur që me mësimet e trajnerit tashmë të njohur edhe botërisht, Driton Kuka, të korrin suksese edhe në olimpiada, dhe të shfaqin një imazh pozitiv për Kosovën në gjithë botën”, tha fillimisht rektori Hajrizi.
Sipas rektorit Hajrizi, UBT këta personalitete i çmon shumë dhe i mbanë afër sepse qëndrojnë në të njëjtën vijë të përfaqësimit dinjitoz të Kosovës në arenën ndërkombëtare, UBT përmes arsimit, shkencës e inovacionit, ndërkaq Driton Kuka me xhudistët përmes sportit.
“Personalitetet si Driton Kuka janë një vlerë e madhe për vendin tonë që duhet t’i ruajmë dhe kultivojmë vazhdimisht, pasi që ata janë gjithmonë të etur për të korrur suksese. UBT është në të njëjtën linjë me ta, duke përfaqësuar vendin nëpër botë me anë të shkencës, teknologjisë dhe inovacionit, dhe lidhjet me njerëzit që përfaqësojnë vendin denjësisht vazhdimisht UBT i kultivon, madje këtë e ka dëshmuar vite më parë duke e nderuar trajnerin Driton Kuka me çmimin më të lartë të institucionit tonë “Excellence Leadership Award”, ka thënë rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi.
Muajin e kaluar, përpara se të nisen për kampanjën në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi ka mirëpritur kampionen botërore dhe olimpike në xhudo, Majlinda Kelmendi, dhe selektorin e reprezentacionit të Kosovës në xhudo, Driton Kuka, në ambientet e Parkut Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, nga ku i njoftoi nga afër me punën dhe arritjet e UBT-së, laboratorët dhe qendrat sportive, bibliotekën e UBT-së, shtrirjen e rrjetit 5G, spitalin, laboratorin e mekatronikës, stomatologjinë dhe sportin.