Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Mjekëve, UBT falënderon gjithë stafin dhe personelin mjekësor, të cilët gjatë gjithë kohës janë duke kontribuuar në shoqëri me angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm për shëndetin e popullatës.
Me këtë rast, rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, ka thënë se kjo ditë është një datë e cila duhet shënuar dhe duhet çmuar kontributi i gjithsecilit mjek në shoqërinë tonë.
“Dua që fillimisht t’i uroj të gjithë mjekët dhe personelin mjekësor me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Mjekëve. Dua që t’i falënderoj ata jashtëzakonisht shumë për kujdesin dhe profesionalizmin që tregojnë gjithmonë kur janë në krye të detyrës, por nganjëherë edhe kur janë jashtë saj. Populli gjithnjë ka nevojë për përkujdesje shëndetësore të mirëfilltë dhe cilësore, dhe mjekët tanë janë ata që gjithmonë na bëjnë krenar me punën dhe profesionalizmin që tregojnë”, ka thënë fillimisht rektori Hajrizi.
Tutje, rektori Hajrizi ka thënë se nevoja për të nxjerrë kuadro profesionale në fushat mjekësore ka shtyrë atë që UBT të zhvillojë programet e shkencave mjekësore, të cilat do t’i sjellin vendit profesionistët më të mirë që ka njohur bota e mjekësisë në Kosovë.
“Me zhvillimin e programeve mjekësore UBT po sjell një kuadër të ri të profesionistëve të mjekësisë, duke u përkushtuar që gjeneratat e reja të shkencave mjekësore në UBT të jenë të një niveli krejtësisht tjetër në vend dhe rajon. Ata janë duke u përgatitur nga një staf profesionistësh mjekësor të cilët janë ekspertë të fushave mjekësore, dhe në të njëjtën kohë po sfidohen me raste reale të pjesës praktike, e që nënkupton se ata brenda një kohe shumë të shkurtër do të fillojnë karrierën e tyre profesionale për t’iu dhënë shërbime shëndetësore qytetarëve të Kosovës”, ka thënë rektori Hajrizi.
UBT ka zhvilluar programe unike të studimit në shkencat mjekësore që përfshijnë fakultetet si: Infermieri, Stomatologji, Farmaci, Teknik i Anesteziologjisë, Teknik i Radiologjisë, Teknik Dentar, si dhe Shëndet Publik dhe Menaxhim.