Zhvillimi i programeve të ndryshme të studimit, me theks në ato të teknologjisë informative, ka ngjallur një interesim shumë të madh të vajzave dhe grave për të studiuar në fushat e inxhinierisë kompjuterike, sistemeve të informacionit e menaxhimit të mekatronikës.
UBT për 20 vite punë ka promovuar vazhdimisht vlerat që vajzat dhe gratë kanë në shoqëri edhe në profesione ku zakonisht numri i tyre është i vogël. Për këtë, me kalimin e viteve në UBT numri i studenteve që kanë studiuar dhe janë duke i vazhduar studimet në sektorin e ICT-së është rritur dukshëm, duke shkuar numri i përgjithshëm i tyre në mbi 2500 studente femra që kanë zgjedhur për të vazhduar rrugëtimin e tyre akademik në këtë fushë.
Në Ditën Ndërkombëtare të Vajzave në ICT, UBT ashtu siç ka vepruar edhe më herët, vazhdon të promovojë vlerat e gjinisë femërore në këtë fushë, duke ditur aftësitë dhe shkathtësitë që ato kanë në teknologjitë informative, kësisoj duke iu ofruar edhe kushte moderne infrastrukturore për zhvillimin e tyre në karrierë.
Rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, ka thënë se numri i vajzave që po zgjedhin këtë fushë është në rritje e sipër dhe se UBT vazhdon të jetë i përkushtuar në mbështetjen e tyre në këtë drejtim, duke iu ofruar mundësi për zhvillim jo vetëm për tregun vendor por edhe për atë global.
“Çfarë na motivon dhe na bën krenar në të njëjtën kohë, është fakti se numri i studenteve që zgjedhin për të studiuar në sektorin e ICT-së është në rritje të vazhdueshme. UBT është institucioni që i mbështetë vajzat të cilat zgjedhin për të studiuar në këtë sektor, me bursa studimi e me mundësi të tjera që ua lehtësojnë studimet, sepse UBT beson në shkathtësitë e tyre dhe se vizioni ynë është që ato do të jenë inovatorët e së ardhmes dhe përfaqësueset e Kosovës në arenën ndërkombëtare për teknologji dhe inovacion”, ka thënë rektori Hajrizi.
Në këtë sektor, shumë vajza dhe gra tashmë të diplomuara, e disa edhe që janë duke i vazhduar studimet, veçse janë ambientuar në tregun e punës, kanë biznese personale, udhëheqin kompani lidere, janë pjesë e stafit të UBT-së, po vazhdojnë studimet jashtë vendit duke marrë praktika të njohura ndërkombëtare, si dhe janë pjesë e institucioneve vendore e ndërkombëtare.
Fakulteti Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri në UBT, është shkolla më e madhe e teknologjisë në vend, që ofron kushte moderne dhe profesionistët më të mirë që ka vendi nga kjo fushë, duke u pasuar nga Fakulteti Sistemet e Informacionit dhe Fakulteti Menaxhim i Mekatronikës, që për çdo vit pranojnë qindra studente femra në këto programe studimi.
UBT përveçse i kushton një vëmendje të veçantë Ditës Ndërkombëtare të Vajzave në ICT, përmes kampanjave promovuese, aktiviteteve të ndryshme, diskutimeve me qytetarë dhe studentë, si dhe kategori të ndryshme të shoqërisë, vazhdimisht bën thirrje që vajzat dhe gratë të angazhohen dhe të vazhdojnë karrierën e tyre profesionale në këtë sektor pa marrë parasysh sfidave që mund të hasin.