UBT News

UBT vazhdon të rrisë partneritetet ndërkombëtare me Letoninë për mobilitetin akademik dhe studentor

Dy profesorë nga Vidzeme University of Applied Sciences në Letoni, Prof. Dr. Ilgvars Abols dhe Prof. Dr. Iveta Druva-Druvaskalne, vizituan UBT-në në kuadër të programit Erasmus+ për të konkretizuar marrëveshjen mes dy institucioneve dhe për të eksploruar mundësi të reja bashkëpunimi, duke përfshirë mobilitetin e studentëve dhe stafit akademik.

Gjatë vizitës, profesorët zhvilluan takime të frytshme me zyrtarët e Zyrës Ndërkombëtare të UBT-së, ku u diskutuan mundësitë për bashkëpunim akademik, projektet e përbashkëta në kuadër të capacity building dhe aplikimet për fonde të reja në kuadër të Erasmus+/KA171. Kjo përpjekje ka për qëllim të thellojë lidhjet ndërkombëtare të UBT-së dhe të ofrojë mundësi të reja zhvillimi për studentët dhe stafin akademik.

Një moment i rëndësishëm i vizitës ishte sesioni informues për studentët e UBT-së mbi mundësitë e studimeve në Letoni, të cilat mund të realizohen përmes marrëveshjes për mobilitetin e studentëve dhe stafit. Ky informacion i ofruar studentëve është një mundësi e shkëlqyer për t’u njohur me mundësitë e shkëmbimit ndërkombëtar dhe për t’u angazhuar në aktivitete akademike në nivel ndërkombëtar.

Profesorët e Vidzeme University of Applied Sciences vazhduan vizitën e tyre në UBT Dukagjini Center, si dhe eksploruan nga afër Qytetin e Mençur të UBT-së në Lipjan, ku u njohën me infrastrukturën moderne dhe mbështetjen që UBT u ofron të diplomuarve të saj.

Një aktivitet i veçantë ishte tryeza e rrumbullakët me studentët dhe stafin akademik të programit të Turizmit, ku u diskutuan praktikat më të mira në këtë fushë, si dhe teknologjitë inovative që po shndërrojnë industrinë e turizmit. Kjo ngjarje ofroi mundësinë për shkëmbim ideash dhe përmirësimin e mësimdhënies në një sektor kyç për zhvillimin ekonomik.

Pjesë e vizitës ishte gjithashtu një ekskursioni në qytetin e Pejës, ku, së bashku me Prof. Kushtrim Dreshaj, profesorët vizituan Muzeun e Qytetit, Rugovën dhe disa nga atraksionet më të njohura të turizmit malor. Gjatë qëndrimit në Pejë, ata zhvilluan gjithashtu takime me partnerët e UBT-së në sektorin e turizmit. Një nga takimet më të rëndësishme ishte ai me kryetarin e komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxheri, ku u diskutuan mundësitë për bashkëpunim të mëtejshëm në zhvillimin e turizmit në këtë rajon.

Vizita përfundoi me një tur të Prishtinës, ku profesorët u njohën me kryeqytetin dhe mundësitë që ofron ky qytet për zhvillimin e edukimit dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Kjo vizitë shënon një hap të rëndësishëm për UBT-në, duke e fuqizuar më tej partneritetin e saj me institucione të njohura ndërkombëtare dhe duke krijuar mundësi të reja për studentët dhe stafin akademik të saj./UBTNews/

Exit mobile version