Me rastin e 8 marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas, UBT ka uruar të gjitha gratë dhe vajzat anekënd vendit dhe botës, duke përçuar mesazhin e fuqizimit të vazhdueshëm të tyre në shoqëri.
Si një shembull unik i ndërtimit të barazisë gjinore, UBT si një institucion serioz vazhdon të përkrah fuqizimin e grave dhe vajzave në sfera të ndryshme të jetës.
Rreth 40% e stafit të UBT-së i përkasin gjinisë femërore në pozita të ndryshme me kompetenca dhe performanca të larta, në pozita udhëheqëse dhe koordinuese, gjithnjë duke u bazuar në seleksionimin e tyre në baza meritore.
“Gratë dhe vajzat janë vlerë e çmuar e shoqërisë për të cilën ne duhet të kujdesemi dhe të krijojmë hapësira të nevojshme në mënyrë që ato të depërtojnë dhe t’i shohim vlerat të cilat në të vërtetë ato i kanë. UBT tashmë e ka bërë traditë mbështetjen, fuqizimin dhe trajtimin e barabartë të tyre në shoqëri, pasi që ato mund të punojnë në pozita të ndryshme udhëheqëse, menaxheriale e koordinuese”, ka theksuar rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi.
Përkrahjen e vajzave të reja që në fillim të karrierës së tyre UBT e ka dëshmuar gjithnjë, së fundmi edhe duke iu ndarë atyre mbi 210 bursa studimi, ose rreth 75% e totalit të bursave të ndara për këtë vit akademik.
UBT, vazhdimisht ka synuar që të krijojë një ambient pune të barabartë për të dy gjinitë, duke qenë shembull i barazisë për të gjitha institucionet vendore, dhe duke vazhduar të mbetet shembull në fuqizimin dhe ngritjen profesionale të grave dhe vajzave.
Duke parë këtë tempo, UBT është duke stimuluar vazhdimisht gratë dhe vajzat që të ngriten edhe më shumë profesionalisht në fusha të ndryshme, përfshirë edhe ato inxhinierike.