4 Korriku i vitit 1776 shënon momentin historik të shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës – një akt që vendosi themelet e demokracisë moderne dhe që sot frymëzon shumë kombe anembanë botës. Në këtë ditë të rëndësishme, vlerat universale të lirisë, barazisë dhe drejtësisë kremtohen jo vetëm në SHBA, por edhe nga miqtë dhe aleatët e saj.
Në këtë ditë të veçantë, rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka uruar popullin amerikan për Ditën e Pavarësisë, duke theksuar rëndësinë e kultivimit dhe forcimit të lidhjeve të forta mes popullit shqiptar dhe atij amerikan.
“Sot, teksa Shtetet e Bashkuara festojnë pavarësinë e tyre, ne i bashkohemi kësaj feste me respekt dhe mirënjohje. Miqësia mes shqiptarëve dhe amerikanëve është e vërtetë, e thellë dhe e ndërtuar mbi vlera të përbashkëta që transmetohen brez pas brezi,” është shprehur rektori Hajrizi.
UBT, si një institucion lider në arsimin e lartë në Kosovë, vazhdon të ndërtojë ura bashkëpunimi me institucionet arsimore në SHBA. Këto partneritete synojnë shkëmbimin e ideve dhe përvojave inovative, në funksion të zhvillimit të një sistemi modern dhe cilësor të arsimit në vend.