Rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, u ka uruar qytetarëve të Kosovës 12 qershorin – Ditën e Çlirimit, duke e përkujtuar flijimin dhe sakrificën e shqiptarëve për liri dhe demokraci, si dhe ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe shumë shteteve evropiane, të cilat e kanë treguar miqësinë e vërtetë në ditët më të vështira për popullin tonë.
“Miqësia e kahershme me ShBA-të, ndërhyrja e NATO-s, si dhe ndihma humanitare e shumë shteteve evropiane është vërtetuar në kohët më të errëta për popullin dhe vendin tonë. Dita e Çlirimit të Kosovës, na krijon një ngashërim, në të cilin janë të gërshetuara gëzimi dhe vuajtja, që na bëjnë ta përkujtojmë flijimin dhe sakrificën e miqve, familjarëve dhe kombit tonë për lirinë dhe pavarësinë të cilën e gëzojmë sot”, ka thënë rektori Hajrizi.
12 qershori simbolizon Ditën e Çlirimit të Kosovës, e cila erdhi pas 78-të ditëve të bombardimit të NATO-s dhe vulosi përfundimisht fundin e luftës, fillimin e lirisë dhe fitoren e pavarësisë së popullit dhe vendit tonë.