UBT po vazhdon të merr vlerësime të rëndësishme dhe njohje të kontributit në arenën ndërkombëtare. Kështu, pas çmimeve prestigjioze ndërkombëtare si “Europian Young Entepreneurial University of the Year”, renditja në vendin e 6-të në botë për sa i përket aplikimeve të Revolucionit të Katërt Industrial si dhe renditjes në mesin e top 100 universiteteve më të mira në botë për Impakt Real – WURI, në këtë fillimvit UBT është renditur në mesin e Top 200 Universiteteve më të mira në botë për luftën ndaj Ndryshimeve Klimatike nga GreenMetric World University Ranking 2023.
Renditja Botërore e Universiteteve në GreenMetric është një renditje e universiteteve që investojnë dhe fokusohen në Kampuset e Gjelbëra dhe qëndrueshmërinë mjedisore. Nëpërmjet 39 treguesve në 6 kategori, UI GreenMetric World University Rankings përcakton nivelin e angazhimit dhe renditjen e universiteteve sipas performances së tyre në raport me nismat mjedisore.
Kjo renditje vlerëson universitetet bazuar në kontributet e tyre të prekshme në luftimin e ndryshimeve klimatike dhe promovimin e qëndrueshmërisë përmes ideve dhe iniciativave inovative në lidhje me shfrytëzimin efiçient të energjisë dhe përdorimit të energjisë së ripërtëritshme, shfrytëzimin efiçient të ujit dhe trajtimin e ujërave të zeza, riciklimi i mbeturinave, hapësirat e gjelbëra brenda kampusit, mobiliteti dhe transporti i gjelbër, etj.
Renditja i kushton gjithashtu rëndësi edhe nxitjes së ndryshimit të sjelljes brenda komunitetit universitar si dhe adresimit të sfidave ekonomike dhe sociale që lidhen me qëndrueshmërinë.
Ndërsa Kategoria Energjia dhe Ndryshimet Klimatike, në të cilën UBT është renditur në mesin e Top 200 universiteteve në botë- përkatësisht në vendin e 175-të përbën kategorinë me peshën më të lartë nga të gjitha 6 kategoritë e renditjes.
Në këtë kategori universitetet vlerësohen për iniciativa, masa dhe veprime konkrete në raport me luftën ndaj Ndryshimeve Klimatike. Në këtë kontekst, universitetet vlerësohen për hartimin e politikave, strategjive dhe iniciativave konkrete në këtë fushë, duke përfshirë masat dhe projektet konkrete në shfrytëzimin e energjisë së ripërtëritshme, ndërtesat e gjelbëra, masat për maksimalizim të efiçiencës në energji, masat për reduktimin e emetimit të CO2 etj.
UBT tashmë ka Strategjinë Institucionale për Universitet të Gjelbër dhe Neutral Ndaj Carbonit, si dhe Strategjinë Institucionale për Promovimin dhe Implementin e SDG-ve. Ndërsa institucioni tashmë ka pranuar disa njohje të rëndësishme ndërkombëtare të kontributit të tij në këtë fushë.