UBT News

UBT shënon Javën e Kuzhinës Italiane

Java e kuzhinës italiane në botë u shënua në mënyrë të veçantë në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së në Lipjan, ku u zhvillua një aktivitet me pjesëmarrjen e Rektorit të UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Ambasadorit të Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, si dhe studentëve dhe profesorëve të UBT-së.

Ky organizim i veçantë synonte të promovonte traditën e pasur të kuzhinës italiane dhe ndikimin e saj në fushën e shëndetit dhe mirëqenies njerëzore.

Në kuadër të aktiviteteve, u mbajt një punëtori e titulluar “Ristoceutics: nga ushqimet e dietës mesdhetare, tek vakte të shijshme dhe funksionale për shëndetin tonë”. Ky aktivitet u fokusua në lidhjen mes ushqimeve mesdhetare dhe efekteve pozitive që ato kanë për shëndetin e njeriut, duke u theksuar rëndësia e ushqimeve funksionale që jo vetëm që janë të shijshme, por kontribuojnë gjithashtu në ruajtjen e shëndetit dhe përmirësimin e mirëqenies.

Në fjalën e tij gjatë aktivitetit të shënuar, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi rëndësinë e aktiviteteve të tilla për zhvillimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe për promovimin e vlerave kulturore dhe edukative. Ai nënvizoi se këto organizime janë mundësi e shkëlqyer për të rritur ndërveprimin mes institucioneve akademike dhe diplomacisë, duke kontribuar në forcimin e lidhjeve mes kombit shqiptar dhe atij italian. Rektori Hajrizi theksoi gjithashtu se UBT vazhdon të mbajë një rol të rëndësishëm në promovimin e edukatës cilësore dhe zhvillimin e aktiviteteve që përfshijnë aspekte të rëndësishme të shoqërisë dhe kulturës.

“Aktivitete të tilla janë një mundësi për të promovuar jo vetëm traditat tona të pasura, por edhe për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar, duke ofruar mundësi të reja për studentët dhe profesionistët në fushat e ndryshme,” theksoi Rektori Hajrizi gjatë fjalimit të tij.

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, po ashtu vuri në dukje rëndësinë e promovimit të traditave të shëndetshme dhe ndikimin pozitiv që ato kanë në formimin e një shoqërie më të shëndetshme dhe më të informuar.

Aktiviteti shërbeu si një platformë për të nxitur ndërveprimin dhe shkëmbimin e njohurive mes studentëve, profesorëve dhe institucioneve të ndryshme, si dhe për të inkurajuar përdorimin e ushqimeve të shëndetshme dhe funksionale për një jetë të shëndetshme. Ky organizim i mbështetur nga Ambasada e Italisë në Kosovë dhe UBT-ja, pasuron aktivitetet që synojnë zhvillimin e mëtejshëm të edukimit dhe promovimin e traditave të ndryshme kulinarie ndërkombëtare./UBTNews/

Exit mobile version