Dy dekada punë, angazhim dhe kontribut në shkencë, teknologji, inovacion e arsim, u shënuan në një ngjarje madhore të organizuar nga UBT, ngjarje kjo historike që bartë me vete peshën e dijes dhe përgatitjes së shumë kuadrove profesionale, të cilët do t’i prijnë shumë proceseve të rëndësishme në historinë e Kosovës.
Për të konkretizuar të arriturat dhe sukseset e UBT-së, si dhe në shenjë falënderimi për gjithë punën dhe angazhimin të të gjithë stafit akademik dhe administrativ, rektori Hajrizi bëri bashkë stafin e institucionit duke e vënë në pah kontributin e gjithsecilit për të arriturat e përbashkëta të një ekosistemi gjigant siç ka krijuar UBT.
Në fjalën e tij, rektori Hajrizi tha se ky takim këtu na mundëson të reflektojmë mbi të arriturat tona, mbi sukseset dhe mbi atë se për çfarë ky institucion është krijuar 20 vite më parë, duke u zotuar se do të vazhdoj traditën që UBT e ka krijuar për 20 vite me radhë.
“Instituti IEME dhe UBT këtë vit shënojnë 20-vjetorin e punës. E kemi nisur si një ëndërr, por jo si të gjitha ëndrrat. Ëndërruam shumë shkurt dhe shumë pak – për t’ia lënë vendin punës. Punës së pandërprerë për realizimin e projekteve, të cilat që në fillim e ditëm se do të jenë të shumta, të rëndësishme dhe të pandalshme. Për të mirë të studentëve, profesorëve, ekspertëve. Me një synim të qartë – që nga dita e parë: Kontribut për Kosovën“, theksoi rektori Hajrizi.
Ngjarja kryesore e shënimit të 20-vjetorit të UBT-së u manifestua edhe me përurimin e librit të 20-vjetorit të njërit prej institucioneve më të mëdha të arsimit të lartë jo vetëm në vendin tonë por edhe në rajon dhe më gjerë.
Profesori i Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, e i cili ka punuar në këtë libër, Safet Zejnullahu, ka shpalosur përmbajtjen e librit, shifra kryesore rreth tij, si dhe aktivitetet që janë përfshirë në të.
“Te ky libër i gjejmë aktivitetet e para të UBT-së, disa mjeshtër që po muratosin një mur dhe disa tjerë që po vendosin një kornizë për diçka, janë fillimet e institucionit dhe ju do të mendoni se ishte e lehtë, ju do të mendoni se edhe ligjëratat dhe ushtrimet që nisën në atë kohë ishin të thjeshta. Këtu është një histori, ndoshta sot do të themi e parëndësishme sepse i kemi të gjitha në një uebfaqe, mirëpo pas 50 viteve kjo do të jetë historia e institucionit më të përparuar dhe më të madh privat të arsimit të lartë në Kosovë”, ka thënë profesori Zejnullahu.
Përveç figurave eminente, duke përfshirë ministren e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit së Republikës së Kosovës, Arbërie Nagavci, mysafir nderi UBT kishte edhe rektorin e Universitetit të Korçës, Dhimitri Bello, i cili në një fjalë rasti tha se të arriturat e UBT-së për këto 20 vite janë mbresëlënëse dhe tashmë ky institucion i arsimit të lartë ka fituar përvojën dhe pjekurinë e duhur për të qëndruar në majat më të larta të suksesit.
“Universiteti juaj sot mbush 20 vite, dhe 20 vjet nuk janë shumë për një universitet por me këto arritje që ka universiteti juaj mund të themi që universiteti ka fuqinë e një të riu – të një 20 vjeçari dhe ka pjekurinë e një plaku të urtë. Kështu që ju uroj edhe përvjetor të tjerë i bindur që universiteti do të qëndrojë në majat më të larta ashtu siç është renditur edhe sot në të gjitha programet që ka të mirë akredituara dhe me këtë infrastrukturë moderne në përshtatje me kohën”, ka thënë rektori Dhimitri Bello.
Në këtë ceremoni u prezantua dokumentari i shkurtër në të cilin u shpalos rrugëtimi 20-vjeçar i UBT-së dhe presidentit të saj, i përgatitur nga stafi i Media Group në UBT, ku u numëruan fakte, shifra, si dhe suksese të institucionit përgjatë vitit 2021 dhe jo vetëm.
Për kontributin e dhënë ndër vite për institucionin, rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi nderoi me mirënjohje punëtorët që për dhjetë vite i qëndruan besnik punës dhe vizionit të UBT-së, duke kontribuuar vazhdimisht për arritjen e synimeve dhe qëllimeve të institucionit.
Lirigzona Morina, Artan Tahiri, Krenare Pireva, Belul Beqaj, Kreshnike Haliti-Bimbashi, Ylber Limani, Haxhi Kelmendi, Betim Gashi, Behar Selimi, Albulena Jahja-Lubishtani, Xhemajl Mehmeti, Banush Shyqeriu, si dhe Ferhat Bejtullahu janë ata që mbushën një dekadë punë dhe që i qëndruan krahë UBT-së.
Për atmosferën e krijuar në këtë ceremoni madhështore u përkujdesën Fakulteti Muzikë Moderne, Prodhim Digjital dhe Menaxhim në UBT, të cilët me studentët e tyre të zellshëm së bashku me UBT Band, krijuan një atmosferë të ngrohtë dhe të këndshme me këngë të përzgjedhura enkas për këtë eveniment.
Me këtë rast, në nderim të kontributit 20-vjeçar në zhvillimin dhe avancimin e shkencës, teknologjisë dhe inovacionit në Kosovë, krijimin e një ekosistemi gjigant të dijes, si dhe për ngritjen e vlerave të larta akademike në arsimin e lartë në Kosovë, rajon dhe botë, Këshilli Akademik në UBT me në krye drejtorin për Çështje Akademike, prof.dr. Muhamet Ahmeti, i ka ndarë mirënjohje presidentit, njëherit rektorit të UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi.