UBT News

UBT-së i ndahet vendi i dytë në botë dhe sjell medaljen e argjendtë në Kosovë nga olimpiada botërore e robotikës

UBT është vlerësuar lartë në garën më të madhe në botë për robotikë “FIRST Global Challenge”, për kontributin e jashtëzakonshëm në zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë ne përgjithësi, si dhe në veçanti për garën ndërkombëtare të robotikës “FIRST Global Challenge”.

Në edicionin e këtij viti të “FIRST Global Challenge”, UBT është ranguar e dyta në botë dhe ka marrë medaljen e argjendtë për kontributin dhe mbështetjen e zhvillimit të STEM në botë, duke e ngritur dhe lartësuar kështu imazhin e Kosovës gjithandej globit për kontributin e jashtëzakonshëm në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë.

Me këtë rast, rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka thënë se ky është një vlerësim i madh dhe real për UBT-në ngaqë vërtetë po punohet shumë dhe me vite të tëra për arritjen e këtyre rezultateve.

“Jam shumë i lumtur për këtë vlerësim, sidomos në një garë që ka për synim përgatitjen e të rinjve për sfidat globale dhe mundësinë e zgjidhjeve të tyre përmes teknologjisë. UBT do të vazhdojë të kontribuojë në kuadër të përgjegjësive sociale në zhvillimin e të rinjve dhe të rejave duke i lidhur ata me teknologjitë më bashkëkohore dhe kështu vazhdimisht edhe të bëjë një përfaqësim dinjitoz të vendit ne bote”, ka thënë rektori Hajrizi.

Në ceremoninë përmbyllëse, ekipi përfaqësues i Kosovës për garën e robotikës me në krye mentoren, Elita Hajrizi, u takua me presidentin e garës “First Global Challenge”, Dean Kamen, të cilit i dhuruan një dhuratë modeste nga Kosova në shenjë mirënjohje për kontributin e tij për fushën e robotikës, dhe i kërkuan atij që në të ardhmen Kosova të jetë nikoqire e kësaj gare ndërkombëtare, duke bërë kështu që Kosova për herë të parë të mirëpres një garë të nivelit global.

Exit mobile version