Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve – 1 Qershori – studentët e Departamentit të Psikologjisë në UBT, Kosovare Hamiti dhe Shqipe Shala, së bashku me studentin e Aktrimit, Denis Arifi, organizuan një aktivitet të veçantë dhe tejet të gëzueshëm për fëmijët e moshave të ndryshme, në bashkëpunim me nxënësit e gjimnazit pjesë e klubit tonë.
Ky aktivitet, i mbajtur në një atmosferë festive, kishte për qëllim krijimin e një hapësire të sigurt, edukative dhe argëtuese, ku fëmijët mund të ndiheshin të lirë për të shprehur emocionet dhe kreativitetin e tyre. Në fokus ishte zhvillimi emocional dhe social i fëmijëve, përmes metodave të përdorura në psikologjinë zhvillimore dhe edukative.
Aktivitetet e organizuara përfshinë:
Vizatime dhe pikturime kreative – ku fëmijët patën mundësinë të shprehin imagjinatën e tyre përmes ngjyrave dhe formave.
Këndime dhe recitime – që i inkurajuan fëmijët të shfaqin talentin dhe guximin e tyre para të tjerëve.
Pikturim fytyrash, lojëra interaktive dhe animime – që krijuan një ambient të gjallë dhe argëtues.
Atmosfera përgjatë gjithë ditës ishte pozitive dhe e mbushur me muzikë, buzëqeshje dhe emocione të sinqerta. Angazhimi i studentëve dhe anëtarëve të klubit ishte maksimal, duke treguar përkushtim të lartë dhe dashuri të thellë për fëmijët dhe komunitetin.