UBT News

UBT promovon qasje të reja për ruajtjen e biodiversitetit dhe pasurisë bimore në Akademinë Verore për Shkencat e Ushqimit dhe Agrikulturë

UBT, përmes Fakultetit të Shkencave të Ushqimit dhe Bioteknologjisë si dhe Fakultetit të Inxhinierisë së Agrikulturës dhe Mjedisit, ka organizuar me sukses Akademinë Verore, që u zhvillua më 8 korrik në Kampusin e UBT në Lipjan, dhe më 9 korrik në qendrën inovative ITP në Prizren, duke mbledhur ekspertë, studiues, studentë dhe profesionistë të fushave të agrobujqësisë, ushqimit dhe mjedisit.

Akademia Verore kishte për qëllim të ofrojë një platformë dinamike për shkëmbimin e njohurive më të fundit, zgjidhjeve të qëndrueshme dhe praktikave inovative në prodhim bujqësor, përpunim ushqimor dhe ruajtjen e biodiversitetit, në përputhje me sfidat globale dhe nevojat lokale.

Programi u hap me fjalën hyrëse të Fidan Fekës, Dekan i këre departamenteve, i cili theksoi rëndësinë e përgatitjes së profesionistëve të rinj për të udhëhequr transformimin rural dhe agroushqimor në Kosovë.

Në vijim, Driton Sylejmani trajtoi temën “Roli i profesionistëve të rinj në transformimin dhe avancimin e bujqësisë në Kosovë”, duke nënvizuar nevojën për politika të reja dhe teknologji të reja në sektorin bujqësor.

Rina Dinaj prezantoi konceptin e agropylltarisë, një praktikë moderne që ndërlidh pylltarinë me bujqësinë për të përmirësuar rendimentin dhe qëndrueshmërinë mjedisore.

Një prezantim inovativ ishte ai i Blina Avdijës, e cila përmes iniciativës BLIFF, prezantoi produkte të reja të çajrave të përpunuar për tregun modern, duke bashkuar trashëgiminë bimore me inovacionin e industrisë ushqimore.

Bari Sopa, përmes një qasjeje ndërdisiplinare, foli për ndikimin e ushqimit natyral, aktiviteteve fizike dhe menaxhimit të stresit në trajtimin alternativ të hipertensionit dhe diabetit të tipit 2, duke promovuar një model të integruar për shëndetin publik.

Pjesa e fundit i kushtohej prodhimit inovativ – Blertan Libusha prezantoi përvojën e kultivimit të boronicës në vazo, si një mundësi e re për bujqësinë urbane dhe mikrobujqësinë në Kosovë.

Dita e dytë u hap nga Ismet Babaj, i cili vlerësoi rëndësinë e lidhjes midis kërkimit shkencor dhe praktikave të qëndrueshme në fushën e mjedisit dhe ushqimit.

Blerinda Veliu prezantoi mënyrat e shfrytëzimit të qëndrueshëm të pasurisë bimore, duke theksuar potencialin terapeutik dhe ekonomik të bimëve autoktone.

Në vijim, Poema Rogova shtjelloi rëndësinë e sigurisë ushqimore, përtej aspektit të shijes, duke promovuar një qasje shkencore dhe të qëndrueshme për industrinë ushqimore vendore.

Arjana Sharani prezantoi një model të suksesshëm të përpunimit të Aronisë, nga kultivimi organik deri te produktet me vlerë të shtuar në treg.

Ndërkaq, Gazmend Cikaqi ndau historinë e G-Dema, një industri e lokalizuar që ka transformuar feferonat dhe produktet tradicionale në ëmbëlsira dhe artikuj inovativë, duke dëshmuar fuqinë e sipërmarrjes rurale.

Programi u përmbyll me prezantimin e Medin Zeqirit, i cili foli për rëndësinë e pakove të konsulencës për prodhuesit e qumështit në Kosovë, si model për rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe përmirësimin e cilësisë.

Akademia Verore 2025 konfirmoi angazhimin e UBT-së në avancimin e njohurive, promovimin e inovacionit dhe forcimin e lidhjes ndërmjet shkencës dhe praktikës në fushat kyçe për zhvillimin ekonomik dhe mjedisor të vendit.

Exit mobile version