Rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, ka mirëpritur në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, një delegacion nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara “FH Graubünden” nga Zvicra, të prirë nga rektori i këtij universiteti, prof. Jürg Kessler.
Në këtë vizitë, i pranishëm ishte edhe ambasadori i Ambasadës së Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly, si dhe atasheu i kësaj ambasade në Kosovë, Sophie Ratcliff, e të cilët u shprehën të lumtur me vizitën në UBT.
Rektori Hajrizi, falënderoi të pranishmit, në veçanti rektorin Kessler, si dhe ambasadorin Kolly për vizitën në UBT, duke thënë se bashkëpunimi mes Kosovës dhe Zvicrës nuk ka munguar, duke shtuar se ky bashkëpunim tani duhet të vazhdojë edhe në sferën e arsimit, shkencës, teknologjisë dhe inovacionit.
“Ne si UBT po përpiqemi të promovojmë konceptin e një ekosistemi të bazuar në inovacion dhe ndërmarrësi, por në të njëjtën kohë si një ekosistem inovativ në krijimin e vendeve të reja të punës, dhe me këtë rast me bashkëpunimin me institucionet arsimore në Zvicër, një bashkëpunim i mirë na sjell përfitime të mira”, ka thënë rektori Hajrizi.
Nga ana tjetër, rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara “FH Graubünden”, Jürg Kessler, ka prezantuar vizionin, misionin dhe vlerat e universitetit që udhëheq, duke përmendur në veçanti prioritetet dhe strategjitë që i përbashkon universitetin nga Zvicra dhe UBT-në.
“Ne mendojmë se do të duhej të mendonim globalisht, por duhet të veprojmë në nivel lokal, sepse jemi të vendosur në rajonin malor të Zvicrës, dhe ky rajon malor ka shumë lugina, bujqësi, ka turizëm dhe disa industri, por jo aq shumë industri. Prandaj, është shumë e rëndësishme dhe po punojmë në drejtimin e bashkëpunimin rajonal ndërkombëtar, kështu një bashkëpunim strategjik me UBT-në është shumë i rëndësishëm për ne”, ka thënë rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara “FH Graubünden”, Jürg Kessler.
Ambasadori i Ambasadës së Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly, ka thënë se qasja të cilën të dy shtetet, në veçanti të dy institucionet e arsimit të lartë kanë është shumë e rëndësishme për zhvillimin e mëtutjeshëm, qasje kjo praktike dhe shumë e nevojshme për të pasur përparim në nivelin arsimor e edukativ.
“Ajo që mendoj se na bashkon të dy vendet është qasja praktike. Dhe kjo është ajo që unë shoh në të dy institucionet në Zvicër dhe në Kosovë, këtë afërsi me botën praktike që do të thotë kryesisht me sektorët sipërmarrës në të dy vendet. Kjo është fusha ku ju mund të përparoni”, ka thënë ambasadori Kolly.
UBT si qëllim kryesor ka ndërtimin e një ekosistemi arsimor inovativ, duke kontribuar në zhvillimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit me institucione të tjera arsimore në vende të ndryshme, për t’i dhënë të rinjve mundësi më të mira për shkollim dhe edukim.