Në ambientet e UBT-së u zhvillua një takim i nivelit të lartë mes Rektorit të UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, dhe një delegacioni të lartë nga Zyra për Çështje të Zhvillimit të Presidencës së Emirateve të Bashkuara Arabe. Delegacioni përbëhej nga ekspertë dhe këshilltarë të afërt të Presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe: Rabih Abouchakra, Bogdan Kolarov, Mohamed Al-Shamsi dhe Andrew Archer.
Qëllimi i këtij takimi ishte vendosja e bashkëpunimeve strategjike ndërmjet Emirateve të Bashkuara Arabe dhe UBT-së, si një nga institucionet më kredibile dhe inovative në rajon. Në fokus të diskutimeve ishin fushat me interes të ndërsjellë, përfshirë arsimin e lartë, shëndetësinë, ndikimin e Inteligjencës Artificiale, si dhe sektorë të tjerë që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik, teknologjik dhe social.
Delegacioni nga Emiratet u impresionua nga niveli i zhvillimit të UBT-së, infrastruktura moderne, qasja ndërdisiplinare, bashkëpunimet ndërkombëtare si dhe rezultatet konkrete që ky institucion ka arritur në përgatitjen e kuadrove profesionale në Kosovë dhe më gjerë.
Si rezultat i këtij takimi, përfaqësuesit nga Zyra për Çështje të Zhvillimit të Presidencës së Emirateve të Bashkuara Arabe shprehën gatishmërinë për të avancuar bashkëpunimin konkret me UBT-në dhe ftuan zyrtarisht Presidentin dhe Rektorin e UBT-së për një vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku pritet të konkretizohen projektet dhe iniciativat e përbashkëta në të ardhmen e afërt.