UBT po merr pjesë në Web Summit, ngjarjen më të rëndësishme globale të teknologjisë, e cila po mbahet në Lisbonë, Portugali.
Kjo ngjarje prestigjioze mbledh liderë nga fushat e teknologjisë, inovacionit, biznesit dhe politikës, dhe ofron një mundësi të shkëlqyer për të shfaqur aftësitë dhe mundësitë e Kosovës në sektorët e arsimit dhe teknologjisë.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Drejtori i Departamentit për Edukim dhe Zhvillim Profesional, Besnik Skenderi, dhe Dekani i Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë, Besnik Qehaja, po prezantojnë ekosistemin e UBT-së dhe arritjet e tij në edukim dhe inovacion, duke theksuar potencialin e Kosovës për zhvillime të reja teknologjike.
Gjatë qëndrimit në Web Summit, UBT po prezanton produkte dhe shërbime inovative të lidhura me fushat e Inteligjencës Artificiale (AI), 5G, IT dhe zhvillimin e softuerëve, duke promovuar gjithashtu talentet e rinj në fushën e IT-së që dalin nga shkollat dhe programet e njohura ndërkombëtarisht të UBT-së.
Pjesëmarrja e UBT-së në Web Summit është një mundësi e shkëlqyer për të promovuar talentet dhe mundësitë e Kosovës në fushat e telekomunikacionit, shërbimeve teknologjike dhe inovacionit global. Po ashtu, kjo pjesëmarrje është një tregues se Kosovës po i hapen dyer të reja për bashkëpunime ndërkombëtare dhe mundësi të shkëlqyera për zhvillimin e teknologjisë.
Ky aktivitet realizohet në bashkëpunim dhe me mbështetje nga KIESA, e cila ka organizuar prezantimin e kompanive inovative të Kosovës në këtë ngjarje prestigjioze.