Profesori i Agrikulturës dhe Mjedisit në UBT, Ismet Babaj, po merr pjesë në një seminar ndërkombëtar dyjavor në Izrael, i cili përqendrohet në temën e “Rritjes së Resiliencës në Sektorin e Agrokulturës”. Ky trajnim është një mundësi e jashtëzakonshme për profesionistët e fushës të thellojnë njohuritë dhe të zhvillojnë strategji të reja për përballimin e sfidave të ndryshme globale që prekin sektorin e bujqësisë.
Seminari ka mbledhur 19 profesionistë të fushave të ndryshme nga vende të ndryshme të botës, përfshirë Botsvanën, Kamerunin, Ekuadorin, Eswatinin, Etiopinë, Gjeorgjinë, Ganën, Indinë, Kenian, Kosovën, Liberinë, Nepalin, Ukrainën dhe Zambinë. Ky program trajnim është organizuar nga MASHAV dhe MATC – Qendra e Trajnimit Bujqësor MASHAV, në bashkëpunim me IRIS – Institutin Ndërkombëtar të Resiliencës së Sderot.
Qëllimi kryesor i këtij seminari është ndarja e përvojave dhe strategjive që ka Izraeli për zhvillimin e qëndrueshëm të agrokulturës dhe përballimin e krizave që mund të ndikojnë në këtë sektor. Me anë të këtij trajnimi, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të shkëmbejnë ide dhe qasje të ndryshme për adresimin e sfidave që ndikojnë në bujqësinë globale, duke përfshirë ndryshimet klimatike, menaxhimin e burimeve natyrore dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale.
Përvoja dhe ekspertiza e profesorit Ismet Babaj do të kontribuojnë në avancimin e mësimdhënies dhe praktikat e reja në fushën e bujqësisë së qëndrueshme në UBT. Ai ka ndërmend të ndajë këtë përvojë me kolegët e fakultetit dhe studentët, duke krijuar mundësi për përmirësimin e mësimdhënies dhe promovimin e inovacionit në sektorin e agrokulturës në Kosovë./UBTNews/