Institucioni lider i arsimit të lartë në vend – UBT, nga sot është bërë pjesë e rrjetit të universiteteve që kanë nënshkruar dokumentin Magna Charta Universitatum.
Dokumentin e ka nënshkruar rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, duke u bërë pjesë e një rrjeti të madh global të më shumë se 900 institucioneve të arsimit të lartë të të gjithë botës që kanë nënshkruar këtë dokument.
Rektori Hajrizi është shprehur i lumtur me nënshkrimin e këtij dokumenti duke thënë se UBT me këtë rast ka shënuar edhe një tjetër sukses në arenën ndërkombëtare.
“Nënshkrimi i dokumentit që daton nga 18 shtatori i vitit 1988, është një hap tjetër i madh dhe shumë i rëndësishëm i UBT-së në përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Një dokument që bazohet në parime të lirisë akademike dhe autonomisë institucionale është në përputhshmëri me atë që UBT prezanton, ndaj si e tillë është diçka shumë e rëndësishme për ne”, ka thënë rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi.
UBT me nënshkrimin e Magna Charta Universitatum, dëshmon edhe njëherë lidershipin, cilësinë dhe profesionalizmin në fushën e arsimit, duke respektuar gjithmonë parimet themelore të fushëveprimit dhe misionit të institucioneve të arsimit të lartë.
Magna Charta Universitatum është një deklaratë e nënshkruar në vitin 1988, me rastin e 900 vjetorit të Universitetit të Bolonjës, e cila dëshmon dhe pohon parimet themelore mbi të cilat duhet të bazohet misioni i universiteteve.