Rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi me ministrin në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuqi, për projektin e Ekonomisë Digjitale të Kosovës (KODE), në kuadër të Rrjetit për Hulumtim dhe Edukim i Kosovës.
Me nënshkrimin e këtij memorandumi nga UBT, si dhe institucione tjera, u jetësua edhe Rrjeti për Hulumtim dhe Edukim i Kosovës, ngjarje kjo e cila u cilësua edhe si e rëndësishme që ndërlidhi bashkë arsimin dhe teknologjinë.
Memorandumi parasheh bashkëpunim në promovimin e zhvillimit ekonomik, rritjen e punësimit përmes fushës së teknologjisë së informimit dhe komunikimit, njëherësh edhe krijimi i qasjes së resurseve të teknologjisë dhe dijes për studentët dhe profesorë të të gjitha kolegjeve dhe universiteteve në Kosovë.
Rrjeti për Hulumtim dhe Edukim i Kosovës po punon në zhvillimin e komunitetin e hulumtuesve, duke i siguruar këtij komuniteti qasje në resurse të ndryshme digjitale, përfshirë qasjen në infrastrukturë moderne të teknologjisë së informacionit, shërbime të ndryshme digjitale, qasje në literaturë, si edhe të ofrojë bashkëpunim në mes të institucioneve arsimore brenda dhe jashtë Kosovës.