UBT mori pjesë në panairin më të madh botëror të teknologjisë në arsim, Bett, i cili u mbajt në Londër, Britani e Madhe, në një ngjarje prestigjioze që mbledh profesionistë, institucione arsimore dhe kompani të njohura nga mbarë bota.
Ftesa për të marrë pjesë në këtë panair erdhi në mënyrë të veçantë për Rektorin e UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, si dhe për profesorin Hasan Metin dhe Elita Hajrizin, të cilët ishin përfaqësues të këtij institucioni në këtë ngjarje të rëndësishme.
Bett është një nga ngjarjet më të rëndësishme globale që ofron mundësi për të zhvilluar bashkëpunime të reja, për të shkëmbyer eksperienca dhe për të parë inovacionet më të fundit në fushën e teknologjisë dhe arsimit.
Ekipi i UBT-së pati mundësinë për të zhvilluar takime me përfaqësues të disa prej kompanive më të mëdha dhe më të rëndësishme në botë, si Microsoft, Meta, Google dhe shumë të tjera, duke hapur mundësi të reja për avancimin e edukimit dhe teknologjisë në institucionin që ata përfaqësojnë.
Vitin e ardhshëm, UBT ka marrë një ftesë në panairin Bett, ku do të prezantojë produktet e tij të avancuara të teknologjisë në arsim në një panair prestigjioz, duke përfshirë zhvillimet më të fundit në fushat e Teknologjisë 3.0 dhe 4.0, Inteligjencës Artificiale (AI), Smart City, si dhe më shumë se 40 produkte të tjera inovative. Ky do të jetë një moment i rëndësishëm, në të cilin UBT do të paraqesë arritjet e tij dhe potencialin e jashtëzakonshëm në fushën e teknologjisë dhe arsimit.
Panairi do të shndërrohet në një mundësi për të përfaqësuar Ballkanin në skenën globale, duke e konsoliduar kështu vizionin në avancimin e dijes dhe teknologjisë./UBTNews/