UBT përmes kompanisë finlandeze të telekomunikacionit “Nokia”, po sjell për herë të parë në Kosovë dhe rajon rrjetin 5G, që mundëson shtrirjen e gjeneratës së pestë të teknologjisë së rrjeteve celulare pa tela që njihet si e ardhmja e internetit.
Sipas marrëveshjes trevjeçare, “Nokia” do t’i sigurojë UBT-së lidhjen wireless 5G SA, që do të mundësojë zhvillimin e kërkimit dhe testimit të bazuar në 5G, për një numër rastesh përdorimi të drejtuara nga teknologjitë përkatëse Internet of Things (IoT) dhe AI, si pjesë e përpjekjeve për të nxitur kërkime dhe inovacione.
Në një komunikatë për media, lëshuar nga kompania prestigjioze e telekomunikacionit, “Nokia”, thuhet se rrjeti 5G do të bazohet në Nokia Digital Automation Cloud (DAC), një platformë digjitalizimi, e cila është e aftë të ofrojë besueshmëri, shpejtësi të lartë të trafikut dhe uljen e vonesave gjatë komunikimeve të ndryshme në kohë reale duke përdorur teknologji të ndryshme.
Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, ka thënë se shtrirja e rrjetit 5G në Kosovë përbën një zhvillim të rëndësishëm për Kosovën në ekonominë digjitale të vendit.
“Shtrirja e rrjetit të parë privat 5G në Kosovë do të na mundësojë të qëndrojmë në krye të kërkimit dhe zhvillimit në nivel lokal. 5G është një shtysë e madhe, ndërsa po zhvillohen edhe aplikacione të tjera, dhe kjo do të na mundësojë të nxisim inovacionin dhe do të ketë një ndikim në ekonominë digjitale të Kosovës në përgjithësi”, ka thënë rektori Hajrizi.
Në komunikatën e lëshuar nga “Nokia”, drejtori i Shitjeve për Evropën Juglindore, Michael Siegel, ka thënë se ky investim i “Nokia” në bashkëpunim me UBT-në nënkupton një zhvillim të madh për të dy palët në rajon.
“Investimi i UBT-së në 5G, në bashkëpunim me “Nokia”, përfaqëson një përparim të madh në rajon. Në planin ndërkombëtar, ne shohim institucionet kryesore kërkimore që u drejtohen aftësive të besueshme, të sigurta dhe me shpejtësi dhe gjerësi të brezit me frekuencë shumë të lartë që ofron rrjeti 5G, kjo mundëson kërkimin, funksionimin e rrjetave Internet of Things, Artificial Intelligence dhe automatizimit të gjitha proceseve në industri – të cilat të gjitha kontribuojnë në avancimin e industrisë 4.0”, ka thënë Drejtori i Shitjeve për Evropën Juglindore në kompaninë “Nokia”, Michael Siegel.
Sipas zyrtarëve të kësaj kompanie, “UBT” është duke mbështetur të rinjtë dhe të rejat në ambiciet e tyre për të krijuar një shoqëri të dijes, duke punuar me ndërmarrjet publike dhe private, në mënyrë që të vendoset infrastruktura e nevojshme që mbështet kërkimin, zhvillimin dhe inovacionin.
“Nokia” është kontribuuesi kryesor i industrisë së telefonisë mobile, pasi që ka ndihmuar në zhvillimin e standardeve GSM, 3G dhe LTE, dhe aktualisht 5G, si dhe dikur ishte shitësi më i madh në mbarë botën i telefonave celularë dhe telefonave të mençur.
UBT u themelua në vitin 2001. Me shumë programe të akredituara, 10 mijë studentë, 1 mijë të punësuar, park shkencor dhe teknologjik, institucione kërkimore dhe zhvillimore, qendra, laboratorë të ndërmarrësisë dhe inovacionit, qendra të ndryshme të teknologjisë dhe media, UBT ka krijuar një ekosistem.
Për më tepër, UBT është institucioni që procesin arsimor e ka vendosur në platformën e realitetit virtual, duke ofruar zbatimin e plotë të CLASSROOM 3.0 dhe tani duke u bërë Kampusi Universitar 5G, do të ketë sukses të bëhet një nga universitetet më progresive dhe më të vlerësuara në Evropën Juglindore.
Për të lexuar komunikatën e plotë të lëshuar nga Nokia, kushtuar bashkëpunimit me UBT-në, klikoni në linkun: https://www.nokia.com/about-us/news/releases/2021/03/15/nokia-delivers-5g-private-wireless-network-at-university-for-business-and-technology-kosovo/