Më ndryshe se kurrë më parë, për të përmbyllur punën e përditshme, ngjarjet, arritjet dhe sukseset e shumta, UBT ka mbajtur një takim virtual me stafin akademik dhe administrativ për të kremtuar përfundimin e një viti të veçantë, siç ishte viti 2020.
Për t’i vlerësuar gjithë ata që ndikuan në rritjen e institucionit dhe u bën pjesë e sukseseve madhështore përgjatë vitit që po lëmë pas, rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, virtualisht falënderoi stafin për punën e palodhur dhe kontributin e dhënë në punën administrative, akademike dhe shkencore.
Gjatë këtij takimi virtual, rektori Hajrizi theksoi se dhe sivjet bashkërisht arritëm që të zhvillojmë një larmi aktivitetesh, dhe të regjistrojmë gjeneratën e re të profesionistëve të ardhshëm të të gjitha fushave jetësore.
“UBT ka bërë një kthesë në historinë e arsimit në Kosovë në këtë vit sfidues të pandemisë, duke u bërë institucioni i parë privat në vend që koordinoi plan-programet dhe ofroi mundësi të jashtëzakonshme, arriti që studentëve t’u krijojë kushte dhe të vazhdojë procesin e diplomimit për nivelin bachelor dhe master, vendosi ligjëratat online, ofroi mësim virtual në laboratorë, e mbajti shumë konferenca me video-lidhje, e regjistroi një numër rekord të studentëve të rinj. Këto rezultate të rëndësishme për institucionin u kurorëzuan edhe sivjet falë profesionalizmit të lartë dhe cilësisë së dëshmuar në punë”, potencoi rektori Hajrizi.
Tutje, në këtë organizim virtual të fundvitit, rektori Hajrizi tha se strategjia e punës deri në viti 2025 ka filluar të zbatohet, ngaqë siç tha ai, ka filluar të jetësohet Qyteti Inovativ dhe i Mençur. Sipas tij, UBT është shndërruar në Ekosistem të Dijës, pjesë e së cilit është parku shkencor dhe teknologjik që përmbush misionin për përfshije në zhvillimin socio-ekonomik të vendit.
Në këtë takim virtual u prezantua edhe dokumentari i shkurtër i përgatitur për UBT-në dhe për biografinë e rektorit të UBT-së, nga stafi i zyrës së Media Group të UBT-së, ku u paraqitën fakte dhe shifra për institucionin, njëherësh sukseset dhe sfidat gjatë vitit 2020.
Më pas, për kontributin e dhënë ndër vite, UBT nderoi me mirënjohje punëtorët që për dhjetë vite i qëndruan besnikë dhe kontribuuan për institucionin.
Ajhan Bajmaku, Azir Jusufi, Kozeta Sevrani, Feim Brava, Nazmi Pllana, Sakip Imeri, Arber Sadiku, Osman Osmani, ishin anëtarët e stafit që dhanë kontribut madhor përgjatë këtyre viteve.
Po ashtu, drejtoresha e Qendrës për Rehabilitimin e Viktimave të Tortuës në Kosovë, Feride Rushiti, është nderuar nga UBT, me çmimin “Excellence Leadership Award”. Çmimi është ndarë nga rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrzi, me rastin e 20-vjetorit të themelimit të UBT-së, dhe në kuadër të përmbylljes së vitit 2020.
Ndërkaq, për të nderuar kontributin 20-vjeçar të dhënë në arsim, shkencë, teknologji dhe inovacion, për ndërkombëtarizimin e Kosovës, stafi i UBT-së i ka ndarë mirënjohje presidentit të UBT-së, prof.dr Edmond Hajrzi, dhe duke i uruar mbarësi dhe shumë suksese tjera në punën akademike dhe shkencore.