Suksesshëm UBT ka përmbyllur edicionin e dymbëdhjetë të Konferencës Ndërkombëtare për Shkencë, Teknologji, Biznes dhe Inovacion, ku shumë ekspertë dhe profesionistë nga vendi, rajoni dhe bota, kishin si pikëtakim të dijes dhe shkencës Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së.
Më shumë se 24 konferenca në fusha të ndryshme të jetës i dhanë kahje interesante Konferencës Ndërkombëtare të UBT-së, ku ekspertët e universiteteve më prestigjioze ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Universitetin e Harvardit i thurrën lavde organizimit të një konference të tillë nga një institucion gjigant i arsimit në Kosovës, siç është UBT.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, përgëzoi të gjithë ata që kontribuuan në organizimin e konferencës, teksa i vlerësoi të gjitha konferencat si të suksesshme, duke thënë se kjo është një vazhdimësi e kontributit të UBT-së për shkencën dhe dijen, si një institucion që ka për detyrë për të dhënë kontributin e tij në pjesën akademike dhe shkencore.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur dhe krenar që edhe këtë vit suksesshëm organizuam Konferencën Ndërkombëtare të UBT-së, duke bërë bashkë në një vend shumë shkencëtarë dhe profesionistë të fushave të ndryshme. Kjo i bën mirë shkencës, gjetjeve të reja, studentëve të rinj, për të mësuar nga shkencëtarët më të mirë që ka bota e që sot si vend për t’u takuar e diskutuar e zgjodhën UBT-në dhe konferencën tonë”, ka thënë rektori Hajrizi.
Të veçantë këtë konferencë e bëri edhe organizimi i Konferencës për Lidership, ku morën pjesë ekspertë të lidershipit nga Universiteti i Harvardit, si dhe ekspertë nga Kosova, duke ngritur diskutimin e konferencës në një nivel që Kosova nuk e kishte më parë.
Organizimi i Konferencës Ndërkombëtare për Shkencë, Teknologji, Biznes dhe Inovacion nga UBT, dëshmon fuqishëm angazhimin institucional jo vetëm për nxjerrjen e kuadrove të reja, por edhe për zhvillimin e shkencës në Kosovë përmes hulumtimeve shkencore nga ekspertë dhe profesionistë ndërkombëtarë të cilët prezantojnë në konferencat përkatëse në UBT.